“Çmenduria” e 23-të e Golden State

09.12.2015 16:33

Kampioni i NBA-së ka vazhduar të shkelë gjithçka që i del përpara...

Viktimë e radhës në ecurinë rekorde të ekipit ka qenë Indiana Pacers, që u mposht 123-131.

Kësaj radhe për të shënuar shumë pikë te kampionët u përkujdes Klay Thompson që realizoi 39 pikë, derisa MVP Stephen Curry regjistroi ‘double-double’ prej 29 pikëve dhe 10 asistimeve në fitore. Te Indiana, 33 pikët e Paul Georgeit dhe 24 tjera të shënuara nga C. J. Miles nuk mjaftuan për t’ia dhënë disfatën e parë në stinorin e ri kampionit. Golden State Warriors tashmë ka bilanc 23-0, derisa Indiana Pacers sot ka bilanc 12-8.

LeBron James me kompaninë e tij kanë ndjekur rezultatin tërë pjesën e dytë për t’iu kthyer fitores. Cleveland Cavaliers ka shënuar fitoren e parë pas 3 humbjeve radhazi, duke shkrirë epërsinë 18 pikëshe të Portland Trail Blazersit nga pjesa e parë.

King James ka shënuar dyshifror të dyfishtë duke realizuar 33 pikë e 10 kërcime, derisa Kevin Love ka shtuar 18 pikë të tjera për fitoren e ekipit.

I tërë mundi i pjesës së parë për skuadrën e Portlandit ka shkuar huq, derisa 33 pikët e Damien Lillardit dhe 24 të tjera nga C. J. McCollum nuk kryen punë.