Gruevski nuk u paraqit në Komisionin Anketues
Kryetari i Qeverisë, Nikolla Gruevski, nuk iu përgjigj ftesës së Komisionit Anketues që në seancën e sotme të dëshmojë për skandalin me përgjimet...

VMRO-DPMNE njoftoi se kreu i partisë së tyre nuk mund të dëshmojë sot para Komisionit për shkak të angazhimeve zyrtare, por një gjë të tillë mund ta bëjë më 14 dhjetor.
Mirëpo, kryetari i Komisionit Anketues tha se Gruevski nuk i është përgjigjur me shkrim ftesës publike të Komisionit brenda afatit. Ai akuzoi kryeministrin se nuk po respekton institucionin, para të cilit duhet të japë llogari.
“Organet nuk i pyesin qytetarët se kur duhet t’i ftojnë. Qytetarët marrin ftesë dhe paraqiten. Është çështje e vlerësimit politik nëse dikush do ta respektojë këtë Komision Anketues me pjesëmarrje ose mospjesëmarrjen e tij”- deklaroi kryetari i Komisionit, Petre Shilegov.
Mirëpo, anëtari i Komisionit nga radhët e VMRO-së, Antonio Milloshovski, hodhi poshtë akuzat e Shilegovit.
“Nëse përmbajtja është më e rëndësishme se sa forma e punës së këtij Komisioni dhe nëse faktet i kemi më të rëndësishme se politikën ditore për pikët e imta politike, duhet të respektojmë angazhimet e zyrtarëve shtetërorë dhe në harmoni me njoftimet që kemi ne dhe opinioni të mundësojmë që më 14 dhjetor, kryetari i Qeverisë të japë deklaratë para Komisioni”- tha anëtari, Antonio Milloshoski.
Seanca e sotme u bë arenë akuzash të ndërsjella, se kush më shumë po e shndërron Komisionin Anketues nga një trup parlamentar në cirk. Komisioni, madje, nuk arriti të miratojë as rendin e ditës.
Deputetët e VMRO-së nuk e mbështetën rendin e ditës të propozuar nga kryetari i Komisionit, e që parashihte dëgjimin e dëshmitarëve, ndërsa opozita, përfshi edhe dy deputetët e BDI-së, nuk e mbështetën rendin e ditës të propozuar nga VMRO, që deri më 14 dhjetor Komisioni të vizitojë disa institucione, ndër to edhe DSK-në dhe MPB-në.
Ndërkaq, anëtari i vetëm nga radhët e PDSh-së përsëriti qëndrimin e partisë që përfaqëson, se nuk pret sukses nga ky Komision, prandaj votoi i përmbajtur.
Seanca u shty për ditën e enjte, ndërsa për të dëshmuar ftuan ministrin e Financave, Zoran Stavrevskin, dhe shefin e kabinetit të kryeministrit, Martin Protuger. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
