Maqedoni
Ngecin bisedimet e Grupit punues, partitë nuk arrijnë të kompletojnë KShZ-në
09.12.2015 17:20
Ngecin bisedimet e Grupit punues. Palët në bisedime nuk arritën që të përzgjedhin tre ekspertët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve....

Ndërmjetësi, Piter Vanhaute, thotë se partitë politike kanë përafruar qëndrimet dhe fton ata të kalojnë drejt marrjes së vendimit urgjent. Në lojë, sipas Vanhautes, nuk janë 40 emra, pasi që lista është shkurtuar.
“Lista është shkurtuar, pasi që jemi marrë vesh që ata të cilët nuk i plotësojnë kriteret ligjore të mos jenë në listë. Menaxhuam që të shkurtojmë listën. Ekzistojnë standarde evropiane, sipas të cilave ne duhet të zgjedhim ekspertë të mirë, njerëz apolitik, të mos anojnë nga ndonjëra parti. Nuk është e lehtë të arrihet deri në këtë pikë, por mendoj se do të duhet urgjentisht të përmbyllim këtë çështje”- deklaroi ndërmjetësi në bisedime, Piter Vanhaute.
Disa kandidatë edhe përkundër plotësimit të kushteve, nuk pranohen nga VMRO-DPMNE me arsyetimin se kandidatët janë të afërt me LSDM-në. Burime brenda bisedimeve thonë se VMRO- DPMNE po tenton që në vend të ekspertëve të përzgjidhen persona politik.
Në përbërje të KShZ-së, përpos 3 ekspertëve, hyjnë edhe gjashtë anëtarë që veç më janë propozuar nga partitë politike.
Pas kompletimit të KShZ-së, nëpërmjet konkursit publik do të duhet të zgjidhet edhe sekretari, si dhe të bëhen punësime të reja.
Vetëm atëherë Komisioni mund të nis pastrimin e listave zgjedhore. Krahas KShZ-së, grupi punues ka lënë hapur edhe reformat në media, pasi VMRO-DPMNE kundërshtoi propozimin e ndërmjetësit belg.
MERAL ISMAILI
