Maqedoni
Thaçi takon Hahnin në Bruksel, kërkon garanci për zgjedhje demokratike në prill
09.12.2015 17:54
Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, ka takuar sot në Bruksel eurokomisarin për zgjerim, Johanes Hahn, me të cilin ka biseduar për implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe situatën politike në vend...

Thaçi nga Brukseli ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare të prillit të realizohen në kushte demokratike.
“Kisha një takim domethënës, kuptimplotë dhe shumë të rëndësishëm me komisarin Hahn. U bisedua për çështjen e marrëveshjes mes katër forcave politike në Maqedoni. Unë shpreha interesim të madh, mos të them edhe kërkesë, që zgjedhjet të jenë fer dhe demokratike, për shkak se tashmë vetëm partia jonë është opozitare, të tjerat janë bashkë në qeveri”- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Thaçi e ka shprehur shqetësimin e tij edhe për marrëdhëniet ndëretnike, si dhe për implementimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Ohrit, e cila në mungesë të plotë të zbatimit, sipas atij, po jep një performancë të keqe negative në tavolinën e bisedimeve. Thaçi kërkon marrëveshje të re mes dy etniteteve më të mëdha në vend.
“Ne kemi vlerësuar se MO-ja është shkatërruar jo me dëshirën e shqiptarëve dhe kemi propozim që në frymën e MO-së t’i qasemi mundësisë për marrëveshje të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve”- tha kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi, do të vazhdojë takimet e tij me zyrtarë të lartë në Bruksel edhe nesër.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
