Kulturë
“Makbeth”, aktorët shqiptarë “tronditën” Shkupin
10.12.2015 15:07
“Makbethi” tronditi mbrëmë Shkupin me thellësinë shekspiriane të interpretuar nga aktorët e Teatrit Shqiptar...

Lufta për pushtet, një histori skoceze e shekujve të shkuar, mbetet po aq e fortë edhe në ditët e sotme.
Ndoshta jo aq e egër sa të jesh i gatshëm të vrasësh për pushtet, por intrigat për ta mbajtur me çdo kusht pushtetin janë aktuale në çdo shoqëri moderne. Një “Makbeth” tragjik deri në fund, i korruptuar moralisht dhe politikisht, erdhi në skenë nga Muzbajdin Qamili.
Një zonjë “Makbeth” të etur për pushtet, e gatshme të shkatërrojë gjithçka për të arritur pushtetin, edhe të vrasë, të mbytur në sekretin e madh që e çon në një depresion të thellë nervor dhe në një fund tragjik, këtë arriti mbrëmë të sjellë në skenë Teuta Ajdini Jegeni.
Në rolet e tjera ishin një kastë aktorësh, si: Beqir Nuredini, Vebi Qerimi, Drita Kaba-Karaga, Amernis Nokshiqi–Jovanovska, Zarije Jonuzi, Mirlinda Saiti, Fisnik Zeqiri, Genci Mirzo, Hajrulla Ramizi, Visar Etemi, Dritëro Ame, Blerim Dardhishta, Osman Ahmeti, Ibrahim Xhemaili, Asdren Selimi, Sulejman Ibrahimi e Xhaner Musiq.
Një tragjedi e menduar me një koncept modern nga regjisorja, Diana Dobreva. Në qendër të tragjedisë është krimi shtetëror, shumë vrasje për të arritur në majë të pushtetit, vrasje që do t’i rrinë si makth mbi kokë mbretit gjatë gjithë sundimit të tij.
Sipas Shekspirit, në fron mund të vihet përmes vrasjes, por ndërgjegjja ulëritëse nuk të lë ta shijosh këtë fitore të arritur përmes gjakut. Kjo i ndodhë Makbethit.
Etja për pushtet dhe vendimi për të vrarë vëllanë e tij, mbretin Dunkan, u errëson arsyen Makbethit dhe gruas së tij, zonjës Makbeth. Kjo i shkëput nga realiteti, i bën të ftohtë, i sëmurë, i bën të fiksuar, me duar të përlyera me gjak që nuk lahen asnjëherë, martesa e tyre merr fund, miqësitë prishen.
“Askush nuk më tha ndal”- batutë që Shekspiri e vë së fundi në gojë të Makbethit, për të treguar se krimi nuk bëhet vetëm, por me servile dhe bashkëpunëtorë, të etur gjithashtu për pushtet, fantazma, sepse Makbethi sundon i zhytur në mëkat, një mëkat që shkatërron gjithçka rreth tij.
Skenografja, Ines Golja, kishte punuar mrekullisht me elementet skenikë, muzika u bë nga Petia Dimanova, ia dha dramacitetin maksimal tragjedisë që luhej në skenë, të gjitha këto të shoqëruara nga kostumografia impresionuese. Dhe në fund spektarorët, me duartrokitjet e shumta, treguan se “Makbethi” i Teatrit Shqiptar të Shkupit arriti të prekë thellë ndjenjat e tyre.
MERITA ÇOÇOLI- SALI
