Basketboll

Harden i pandalshëm, Houston kalon Washington

10.12.2015 15:21

James Harden dhuron spektakël në mbrëmjen e NBA ku Houston Rockets kaloi Washington Wizards 109-103...

Shtatlarti i skuadrës teksane realizoi 42 pikë në sfidën ku John Wall bëri gjithçka por nuk arriti ta ndihmonte ekipin e tij të evitonte disfatën e radhës.

Moment negativ po kalon edhe Los Angeles Lakers që u dorëzua përballë Minnesottas 123-122. Një tjetër sfidë e luftuar ishte edhe ajo mes Toronto Raptors dhe San Antonio Spurs.

Kanadezët u imponuan 97-94 edhe pse Manu Ginobili realizoi 17 pikë në 25 minutat e parë.

Shumë pak për të ndaluar DeMar DeRozan që e mbylli takimin me 28 pikë personale, ndërsa Kyle Lowry shtoi 19 të tjera për suksesin e kanadezëve që këtë sezon synojnë një biletë për në play off. Sukses regjistroi edhe Charlotte që ngjitet në shifrën e 13 fitoreve sezonale.

Skuadra nga Karolina e Veriut kaloi Miami Heat 99-81. Për miqtë, Dwayne Wade realizoi vetëm 11 pikë duke ndikuar edhe në ecurinë e ekipit nga Florida që këtë sezon po has vështirësi të mëdha.

Ndërkohë, në Chicago Jimmy Butler nuk mjaftoi me 36 pikët personale për të ndihmuar ekipin nga Ilinois që u dorëzua përballë Boston 105-100, ndërsa Los Angeles Clippers dominuan 109-95 Milwaukee Bucks.