Maqedoni
Izairi: trafiku ndikim të madh në emetimin e gazrave serë
10.12.2015 15:59
Trafiku rrugor është një ndër faktorët më të rëndësishëm, që ndikon në emetimin e gazrave serë...

Trafiku rrugor është një ndër faktorët më të rëndësishëm, që ndikon në emetimin e gazrave serë, të cilat paraqesin problem të madh ekologjik, sidomos në qytetet me numër më të madh banorësh.
Kështu deklaroi ministri i Ambientit, Nurhan Izairi, duke prezantuar projektin “Stabilizimi i emetimit të gazrave serë nga trafiku rrugor nëpërmjet zvogëlimit të dyfishtë të shpenzimit të karburanteve dhe zbatimi rajonal i nismës globale për ekonominë e karburanteve”.
Skenarët zhvillimorë për kërkesën e energjisë flasin se deri në vitin 2050 rritje më të madhe të shpenzimit të energjisë pritet në sektorin e transportit edhe atë afër 172%, ndërsa me këtë emetimi i dioksidit të karbonit do të rritet mbi 140%, theksoi ministri Izairi, duke bërë të ditur se me planin e tretë për ndryshimet klimatike janë paraparë një sërë masash për zvogëlimin e gazrave serë nga transporti.
“Mes tjerash, përmirësim i makinave. Kjo mund të arrihet me rregullatorë dh fiskale, që të nxisim blerje dhe përdorim të makinave ekologjike dhe energjetikisht efikase. P. sh. ulje të tatimeve për blerjen e makinës ekologjike dhe energjikisht efikase dhe rritje të tatimeve për makinat tjera”- deklaroi ministri i Ambientit, Nurhan Izairi.
Po ashtu në mesin e masave ministri Izairi përmendi edhe aplikimin e kredive bankare me kamata më të ulëta për blerjen e automjeteve të reja ekologjike, taksa më të ulëta për regjistrimin e këtyre automjeteve, si dhe përgatitje të një regjistri të automjeteve sipas llojit të karburantit, klasifikimit të euro-standardeve, shpenzimit mesatarë dhe kilometrazhit.
GYLTENE SINANI
