Maqedoni
Kumanova bëhet me rrjet bashkëkohor të kanalizimit
10.12.2015 16:22
Falë angazhimit maksimal dhe këmbëngulësisë së ministrit të Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi, Kumanova deri në vitin 2017 do të bëhet me rrjet të ri bashkëkohor të kanalizimit...

Kjo u tha sot gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për realizimin e këtij projekti midis ministrit të Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairit, kryetarit të Kumanovës, Zoran Damjanovskit, dhe drejtorit të NP “Ujësjellësi”, Goran Stojkovskit. Ndryshe, është ky një projekt kapital për Kumanovën, që do të ndikojë dukshëm edhe në përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
“Ashtu siç kam thënë para një periudhe kohore kur kam ardhur këtu, se këtë projekt do ta realizojmë, ja edhe siç po e shihni, erdhi koha që pas një periudhe kohore këtë premtimin timin personal ta realizojmë. Ky nuk ka qenë premtim partiak, ky ka qenë një premtim dhe një angazhim që ministria, të cilën ne e drejtojmë, të arrijmë në një fazë që qytetarët e Komunës së Kumanovës të jenë të kënaqur me një angazhim tonin për mbrojtje të ambientit. Ky projekt, e dini, është diku rreth 5 milionë euro. Mjetet janë të IPA fondeve, kurse rreth 20 për qind është pjesëmarrje e buxhetit të shtetit. Premtimi ynë është që projekti të përfundojë diku në vitin 2017”- deklaroi ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi.
“Kumanova në 10 vitet e fundit nuk ka fituar një donacion të këtillë nga IPA projekti. Vlera është prej 5 milion euro. Diku 26 kilometra të rrjetit të kanalizimit do të rehabilitohen, që në një farë mënyre ndikon në dy drejtime. E para ndikimi ekologjik dhe e dyta është përmirësimi i infrastrukturës, sepse paralelisht me ndërtimin apo rehabilitimin e rrjetit të kanalizimit do të bëjmë edhe sanacionin e infrastrukturës rrugore”- tha kreu i Kumanovës, Zoran Damjanovski.
Gjatë qëndrimit në Kumanovë ministri Izairi premtoi edhe projekte të tjera të qëndrueshme dhe afatgjate për qytetin e Kumanovës.
NEXHAT AQIFI
