Maqedoni
Rriten kontributet financiare të stomatologëve, 40 denarë për një pacient
10.12.2015 16:41
Prej një janar 2016 do të rritet kontributi financiar i stomatologëve amë, që jepet nga Fondi për Sigurim Shëndetësor...

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që nga viti i ardhshëm të mbështesë veprimtarinë e stomatologëve, duke i rritur kontributet e tyre financiare prej 35 në 40 denarë për një pacient.
Autoritet shëndetësore me këtë risi presin motivim të madh të dentistëve gjatë kryerjes së punës së tyre dhe përmirësimin e imazhit për mbrojtjen shëndetësore dentare të qytetarëve.
“Kjo është një risi e rëndësishme e cila do të mundësojë benefit financiar për stomatologët amë dhe motivimin e stomatologëve të rinj të cilët tani fillojnë të punojnë”- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov.
Mjetet për rritjen e kontributeve të stomatologëve janë të siguruara nga buxheti i Fondit për Sigurim Shëndetësor.
“Nga 1 janari 2016 fondi do të rrisë pikën e kapitacionit nga 35 në 40 denarë, gjegjësisht do të ketë rritje për 14 për qind. Rritja me vlerë prej 5 denarëve për stomatologët për fondin kushton mjete të ndara shtesë prej 75, 3 milion denarë në vit”- tha drejtori i FSSHM-së, Orhan Ramadani.
Me këtë risi priten të përfitojnë gjithsej 1 mijë e 146 ekipe stomatologësh. Sipas të dhënave, mesatarisht një stomatolog amë në vend ka rreth 1100 pacientë.
REXHEP QAMILI
