Maqedoni

Debati “Siguria, të drejtat dhe liria e gazetarëve në Maqedoni”, ShGM: për vetëm 4 vite, 25 sulme ndaj gazetarëve

10.12.2015 17:08

Në Maqedoni janë prezente të gjitha format e mundshme të dhunës ndaj gazetarëve...

Brenda katër viteve kanë ndodhur 25 sulme ndaj gazetarëve, ndërsa vetëm gjysma e tyre kanë ndodhur në 6 muajt e para të 2015-së. Kështu u shpreh kryetar i ShGM-së, Naser Selmani, në debatin me temë: “Siguria dhe liria e gazetarëve në Maqedoni”. Sipas tij, këto sulme kanë për qëllim heshtjen e gazetarëve.  
 
“Brenda 4 viteve kanë ndodhur 25 sulme ndaj gazetarëve, duke mos përfshirë këtu edhe raste kur gazetarët nuk i paraqesin sulmet. Kolegët vazhdimisht janë viktima të dhunës. Kërcënime me vdekje nga politikanë, të cilat zakonisht përfundojnë pa zgjidhje gjyqësore”- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
 
Ministri i Punëve të Brendshme dhe ministrja e Shoqërisë Informative vlerësojnë se ka kërcënime dhe presione mbi gazetarët, andaj duhet të kenë siguri dhe mbrojtje gjatë ushtrimit të profesionit.
 
“Unë do isha shumë i lumtur po të kishte vullnet politik te të gjitha subjektet politike në Maqedoni. Dhe kjo është një nga luftërat kyçe, ose luftë mbi luftë, të cilën duhet ta luftojmë të gjithë ne bashkërisht, që të mund të vendosim zgjidhje sistemore, e cila do të thotë liri për gazetarët”- tha ministri i PB-së, Oliver Spasovki.
 
“Liria e shprehjes është element thelbësor i shoqërisë demokratike. Gazetarëve që janë kërcënuar ose janë sulmuar duhet t’u sigurohet mbrojtje”- theksoi ministrja e Shoqërisë Informative dhe Administratës, Marta Arsovska-Tomovska.
 
Avokati i popullit, Ixhet Memeti, është i mendimit se fajin për situatën e gazetarëve e kanë zbatuesit e sistemit shtetëror. 
 
“Për lirinë e shprehjes dhe medias flitet vetëm në ato shtete ku mungon liria dhe te ne kjo mungon, çka më shumë mund të thotë Avokati i Popullit për këtë çështje. Tek ne, edhe pse ka probleme të mëdha sa i përket sistemit, megjithatë ky sistem është i mirë, problem janë vetëm ata që e zbatojnë këtë sistem dhe këtë të gjithë e dimë. Ju duhet të ju mbrojnë institucionet”- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
 
Pjesëmarrësit në këtë debat vlerësojnë se nga viti në vit rritet pasiguria e gazetarëve gjatë ushtrimit të profesionit.
 
SANIJE KASAMI