Maqedoni
Komisioni Anketues shënon dështimin e radhës
10.12.2015 17:19
Interpretimi i lirë i rregullores së punës nga palët kundërshtare ka tensionuar atmosferën e punës në Komisionin Anketues, ndërsa procesi, thuaja, ka ngec në tërësi...

Palët akuzojnë njëra-tjetrën për obstruksione, ndërsa deputetët shqiptarë konstatojnë mosgatishmëri për punë te palët maqedonase në konflikt.
Ashtu siç edhe pritej, dëshmitarët e ftuar për dëgjim, Zoran Stavrevski dhe Martin Protuger, nuk u paraqitën në seancën e Komisionit Anketues. Sipas deputetëve të LSDM-së, mosparaqitja e dëshmitarëve të VMRO-së tregon se ata nuk kanë guxim të përballen me Komisionin.
“Sërish përpjekje e pasuksesshme e Komisionit Anketues që të fillojë me dëgjimin e dëshmitarëve, ashtu siç ishte njoftuar nga ana ime si kryetar dhe siç ishin ftuar këto persona për dëgjim. Përfaqësuesit e VMRO-së, siç patët mundësi të shihni, edhe pse ishte paralajmëruar një seancë e tillë, vendosën që ta ndryshojnë rendin e ditës së seancës së sotme, pavarësisht që kjo seancë veç është paraparë me planin për punë të Komisionit për më datën 16”- deklaroi kryetari i Komisionit Anketues, Petre Shilegov.
Mirëpo deputetët e VMRO-së kanë akuzuar kreun e Komisionit se po cakton seanca dhe po fton dëshmitarë pa koordinim paraprak, prandaj seancat janë të pakuptimta. Ata insistojnë që dëgjimi i dëshmitarëve të fillojë me kryeministrin, Nikolla Gruevski, më 14 dhjetor.
“Kolegu i nderuar duhet ta emërojë këtë Komision si Komision për inkuizicion i Petre Shilegovit dhe të punojë vet. D.m.th. ne, për fat të keq, nuk kemi mbajtur asnjë koordinim me të si kryetar. Nuk na fton në koordinim që të mund t’i verifikojmë këto çështje. Edhe seancat që janë caktuar nga ai, si kjo e sotmja, ajo e djeshmja dhe afatet, vet i ka caktuar, pa asnjë koordinim paraprak me deputetët e tjerë dhe grupet parlamentare në këtë Komision”- tha anëtari (VMRO), Pavle Sazdov.
Seanca u shty sërish, ndërsa kreu Komisionit nuk caktoi vazhdim për të premten, edhe pse, paraprakisht, ka ftuar ish shefin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov, që të dëshmojë në këtë datë.
Ai tha se do ta shqyrtojë mundësinë për të caktuar vazhdimin e seancës edhe pse shprehu dyshimin se Mijallkovi mund të paraqitet për të dëshmuar.
SHPËTIM NUREDINI
