Maqedoni

Ngecin bisedimet e Grupit punues, partitë nuk arrijnë të kompletojnë KShZ-në

10.12.2015 17:33

Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav, fton partitë politike të përfshira në bisedime që të zgjedhin tre ekspertët e KShZ-së dhe t’i japin fund pakos së ndryshimeve për zgjedhjet...

Orav thotë se të brengosur po përcjellin punimet e Grupit punues, pasi janë shkelur afatet dhe rikujton ata se nuk ka mbetur kohë që të shtyhet çështja.
 
“Dua të rikujtoj se nuk ka ngelur shumë kohë që të përmbyllet kjo çështje. Grupi punues vazhdon sot dhe unë inkurajoj të katër partitë të finalizojnë këtë çështje sot. Dua t’i rikujtoj gjithashtu se rekomandimi i Bashkimin Evropian për Maqedoninë ishte i kushtëzuar me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinës dhe zbatimin urgjent të prioriteteve në reforma”- deklaroi ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.
 
Orav thotë se anëtarët do të duhet të jenë të pavarur dhe të kenë njohuri të lëmisë. Ndërkohë që Grupi punues ka vazhduar bisedimet në klubin e deputetëve në drejtim të zgjedhjes së tre anëtarëve të KShZ-së. Gjashtë anëtarët e tjerë veç më janë propozuar nga partitë politike.
 
Pas kompletimit të KShZ-së, nëpërmjet konkursit publik do të duhet të zgjidhet edhe sekretari, si dhe të bëhen punësime të reja. Vetëm  atëherë Komisioni mund të nis pastrimin e listave zgjedhore.
 
MERAL ISMAILI