Maqedoni
Grupi punues s’kompleton KShZ-në, shtohet presioni ndërkombëtar për zgjidhje
10.12.2015 18:04
Edhe përkundër trysnisë ndërkombëtare, përzgjedhja e tre ekspertëve të KShZ-së po zhvillohet me shumë vështirësi...

Lista e emrave për të cilët diskutohet, nga 40 tanimë është reduktuar në dhjetë. Megjithatë, për partitë politike asnjëri nga kandidatët nuk përmbush plotësisht kriteret, apo ata janë të afërt me ndonjërën parti. Ndërmjetësi, Piter Vanhaute, thotë se përzgjedhja e ekspertëve nuk duhet të jetë problematike, pasi që në listë ka emra mjaft cilësorë.
“Situata është duke u përmirësuar, por nuk do të jetë lehtë për t’u arritur një marrëveshje e mirë. Ne duam që të zgjedhim ekspertë të mirë, jo vetëm ekspertë, por njerëz me kualitet, të pavarur. Nuk është e rëndë, unë pashë disa persona shumë të mirë në listë, pyetja është se partitë a do të dakordohen për këta emra. Është çështje e vullnetit politik që të arrihet marrëveshja”- deklaroi ndërmjetësi në bisedime, Piter Vanhaute.
Aktivitetet e Grupit punues me shqetësim po ndiqen nga Bashkimi Evropian, pasi u shkelën të gjitha afatet.
Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, ftoi partitë politike të zgjedhin me urgjencë ekspertët e KShZ-së.
“Dua të rikujtoj se nuk ka ngelur shumë kohë që të përmbyllet kjo çështje. Grupi punues vazhdon punën dhe unë inkurajoj të katër partitë të finalizojnë këtë çështje. Dua t’i rikujtoj gjithashtu se rekomandimi i Bashkimin Evropian për Maqedoninë ishte i kushtëzuar me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinës dhe zbatimin urgjent të prioriteteve në reforma”- tha ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.
Shqetësim për prolongim të afatit nëpërmjet profilit të tij në Twitter ka shprehur edhe ambasadori i ShBA-së, Xhes Bejli.
“Jam i brengosur se është shkelur afati për kompletimit të KShZ-së. Pavarësia, përvoja dhe profesionalizmi do të duhet të jenë kriter për përzgjedhjen e përfaqësuesve jopartiak. KShZ deri në prill ka shumë punë për të bërë. Koha është shumë e shkurtër”- ka shkruar ambasadori i ShBA-ve, Bejli.
Emërimi i tre ekspertëve la pezull përmbylljen e reformave në media, që më pas të kalohet në dorëheqjen e kryeministrit. Përplasjet ndërpartiake për kompletimin e KShZ-së vijnë pas shtimit të kompetencave të këtij trupi. Midis tjerash, KShZ autorizohet që të vendosë në rast të mosmarrëveshjeve midis ministrave dhe zëvendësve të tyre sa u përket zgjedhjeve.
MERAL ISMAILI
