Maqedoni
UShT, hapet këndi austriak
10.12.2015 18:21
Universiteti Shtetëror i Tetovës në bashkëpunim me Ambasadën austriake në Maqedoni sot në ambientet e këtij universiteti hapi këndin austriak...

Hapja e këtij këndi ka për qëllim që studentët, profesorët të kenë mundësinë e studimit dhe kualifikimit në Austri dhe anasjelltas, si dhe të veprojë si vendtakim për shkëmbim midis gjermanfolësve, maqedonasve dhe shqiptarëve.
Rektori i UShT-së, Vullnet Ameti, theksoi se këndi austriak do të luaj rol kyç në gërshetimin e kulturës së popullit tonë me kulturën e popullit austriak.
“Këndi austriak sot hapet në universitetin tonë dhe do të luan një rol kyç, ku do të gërshetohen kulturat e popullit tonë me popullin austriak, është hapësirë këtu brenda institucionit tonë, ku në të ardhmen do të realizohen shumë projekte të përbashkëta nëpërmjet këtij këndi, ku mund të vijnë studentët. Do të bëjmë këmbimin e studentëve me universitet e R. së Austrisë. Faktikisht këtu do të jetë një qendër kur do të kultivohen vlerat akademike dhe vlerat intelektuale të vetë studentëve”- deklaroi rektori i UShT-së, Vullnet Ameti.
Ndërkohë, ambasadorja e Austrisë në Maqedoni u shpreh se hapja e këtij këndi është i rëndësishëm për marrëdhëniet bilaterale në mes popujve dhe Austria shpreh interesim të madh në zhvillimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe besoj se ky universitet luan rol kyç.
“Austria ka interes të madh në zhvillimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe besoj se ky universitet luan një rol të rëndësishëm dhe të madh në këto marrëdhënie. Kjo hapësirë që na është dhënë këtu do na shërbejë edhe për mësimdhënie, edhe për takime studentore, edhe për shfaqje të filmave dhe jam e sigurt se do të ndodhë shkëmbim i mirë ndërmjet studentëve, lektorëve, profesorëve, pse jo edhe rektorëve, sepse nuk ka kufi ky kënd”- tha ambasadori i Austrisë në Maqedoni, Renate Kobler.
Këndi austriak, i cili prej sot gjendet edhe në UShT, do të shërbejë si një vend informimi dhe bashkëpunimi të ndërsjellë ndërmjet studentëve të të dyja vendeve.
VISAR SADIKI
