Botë

Argjentinë, Kirchner largohet me një fjalim prekës

10.12.2015 20:31

Presidentja në ikje e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner ka bërë një fjalim lamtumire tepër emocionues para mbështetësve të saj në Buenos Aires...

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të mbushin rrugët nëse ndihen të tradhëtuar nga qeveria e re e qendrës së djathtë. 
 
Duke folur para disa dhjetëra mijëra simpatizantëve të mbledhur jashtë pallatit presidencial La Casa Rosa, zonja Kirchner mbrojti arritjet e saj. 
 
“Ne besojmë në atë që kemi arritur, ndaj duhet të sigurohemi që këto gjëra të mos shkatërrohen. Kur të ndjeni që ata të cilët u keni dhënë besimin dhe votën ju kanë tradhëtuar, merrni flamurin”, tha Kirchner. 
 
Ajo pritet të anashkalojë ndërkohë ceremoninë e betimit të pasardhësit të saj, pasi u përfshi me të në një debat mbi vendin ku do të zhvillohet ceremonia. 
 
Kjo do të jetë hera e parë që nga fundi i diktaturës ushtarake të Argjentinës, në vitin 1983, që një president nuk ndjek ceremoninë e përurimit të pasardhësit. 
 
Konservatori Mauricio Macri, që fitoi zgjedhjet me balotazh muajin e kaluar, pritet të bëjë betimin më vonë gjatë ditës. 
 
Zoti Macri trashëgon një sërë problemesh, mes të cilëve inflacionin e lartë dhe nivelin e ulët të rezervave me valutë të huaj. Por lideri i ri i Argjentinës ka premtuar një epokë të re ndryshimi dhe pajtimi./Top Channel