Futboll
Europa League: Eliminohet Skënderbeu, tetë shqiptarë në fazën tjetër
11.12.2015 09:43
Në fazën e grupeve të Ligës së Europës ka marrë pjesë për herë të parë në histori edhe një skuadër shqiptare...

Skënderbeu i Korçës e ka mbyllur Grupin H me tri pikë, në vendin e fundit, me një fund jo fort të këndshëm të sfidës përmbyllëse ndaj Lokomotivës së Moskës.
Dy-tre minutat e fundit të përplasjes së mbrëmshme në “Elbasan Arena”, të humbur 3-0, ngjasonin si “dy pika uji” me fundin e ndeshjes me Crusadersin, në Irlandën e Veriut.
Një ndryshim i vetëm është se atëherë luhej për kualifikueset e Championsit, ndërsa mbrëmjen e 10 dhjetorit për fazën e grupeve të Ligës së Europës.
Këtu merr fund përfaqësimi shqiptar në këtë kompeticion, në rang klubi, por vijojnë më tej, me skuadrat e tyre, jo pak, por tetë futbollistë shqiptarë.
Ata janë: Etrit Berisha, Elseid Hysaj, Taulant Xhaka, Shkëlzen Gashi, Albian dhe Adonis Ajeti, Naser Aliji, si dhe Besnik Hasi, në krye të stolit drejtues të Anderlehtit.
Mbrëmë kanë parë të eliminoihen tre shqiptarë të tjerë, legjionarë kuqezinj; Herolind Shala me Liberecin, Ergys Kaçe me PAOK-un dhe Ansi Agolli me Karabakun.
Vlen të nënvizohet fakti se Hasi me Anderlehtin e tij eliminoi Karabakun e Agollit.
Kaçe ka mundur mbrëmë Dortmundin e Adnan Januzajt, por fati i grekëve ishte përcaktuar më herët, nuk do të vazhdonin më tej. Dje ka “debutuar” në këtë kompeticion edhe një shqiptar tjetër i Bazelit. Fjala është për më të voglin e familjes “Ajeti”, 18-vjeçarin Adonis.
Ai ishte pjesë e Bazelit, në stolin e rezervave. Për kampionët e Zvicrës ka luajtur vetëm Taulant Xhaka në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Europës, ndërsa nuk ishin fare pjesë e ekipit Naser Aliji dhe Shkëlzen Gashi. Për këta të dy, klubi ka sqaruar se po vuajnë problem lëndimesh.
Napoli shkatërroi me rezultatin 5-2 Legian e Varshavës, por Elseid Hysaj nuk luajti fare. Ai u la pushim nga trajneri Sarri. Titullar në portën e Lacios ka qenë Etrit Berisha. Ai ka pësuar një gol në barazimin 1-1, të fiksuar në fushën e francezëve të St-Etienit.
Shorti për 1/16 e finales në Ligën Europa, do të hidhet të hënën me fillim në orën 13.00.
