Së paku 22 të vrarë gjatë tre sulmeve në Siri
Së paku 22 civilë janë vrarë gjatë tri sulmeve të ndara vetëvrasëse që kanë ngjarë në verilindje të Sirisë gjatë natës së mbrëmshme...

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut tha se ndonëse fillimisht është raportuar për 12 të vdekur në sulmet që kanë ngjarë në qytetin Tal Tamr, në provincën siriane, Hasakeh, numri i të vdekurve ka arritur në së paku 22.
Udhëheqësi i këtij mekanizmi mbikëqyrës, Rami Abdel Rahman, tha sot se një bombë ka shpërthyer në afërsi të një post-blloku të forcave të sigurisë, ku besohet se ka të vrarë pjesëtarë të këtyre forcave.
Një shpërthim tjetër, sipas tij, ka ngjarë përpara një spitali, me ç’rast kanë mbetur të vdekur katër gra dhe një mjek.
Ai tha se dhjetëra persona janë plagosur nga shpërthimet dhe paralajmëroi se numri i të vdekurve mund të jetë edhe më i madh.
Qyteti Tal Tamar në provincën Hasakeh, kontrollohet nga forcat kurde dhe në vazhdimësi ka qenë shënjestër e militantëve të “Shtetit Islamik”.
Në shkurt është pushtuar pjesa më e madhe e rajonit Hasakeh, ku janë rrëmbyer së paku 220 sirianë të krishterë.
