Botë

Kanada, mbërrijnë 163 refugjatët e parë sirianë

11.12.2015 12:33

Grupi i parë i emigrantëve sirianë ka arritur në Toronto të Kanadasë...

Familja e parë që shkeli tokën kanadeze ishte një çift me një vajzë 16 muajshe.
 
Ata janë të lumtur që më në fund u larguan nga tmerri në vendin e tyre. 163 refugjatët u pritën nga vetë kryeministri, Justin Trudeau.  
 
“Sonte ata shkelën në tokën tonë si refugjatë, por terminalin e kalojnë si banorë të Kanadasë me numra sigurimi social. Kanadez nuk të bën vetëm ngjyra e lëkurës ose gjuha që flet, kanadez bëhesh duke ndarë të njëjtat vlera dhe aspirata, shpresa dhe ëndrra, të cilat nuk i kanë vetëm kanadezët por të gjithë popujt e botës”- deklaroi kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau.
 
Qeveria e re liberale është zotuar të marrë 25.000 refugjatë deri në fund të shkurtit, një qëndrim ky që kontraston thellë me atë të administratës amerikane, e cila ngurron të pranojë refugjatë.
 
Të 10 provincat e Kanadasë janë shprehur të gatshme të presin refugjatët. Një tjetër avion me emigrantë do të prekë tokën në Montreal të shtunën. 

LEUNORA KALIQI