Botë
Uashingtoni: Asad blen naftë nga ISIS
11.12.2015 14:44
Presidenti sirian, Bashar Al Assad, është blerësi më i madh i naftës që tregtojnë militantet e “Shtetit Islamik”...

Deklarata është bërë nga nënsekretari amerikan për krimet ekonomike në ShBA, Adam Szubin.
Zyrtari amerikan tha se tregtimi i naftës është burimi kryesor i të ardhurave të ISIS-it.
Vetëm në muajt e fundit ata kanë përfituar më shumë se 500 milion dollarë nga shitja e arit të zi dhe një nga blerësit më të mëdhenj ka qenë shteti i drejtua nga Assad.
Ndërkohë, militantët e “Shtetit Islamik” kanë përfituar dhe 1 miliard dollarë nga grabitjet e bankave në territorin që kanë pushtuar në Siri dhe Irak.
Një ditë më parë, autoritetet amerikane konfirmuan se gjatë sulmeve ajrore amerikane ka mbetur i vrarë Abu Salah, i njohur si shefi i financave të ISIS-it.
Që prej muajit të kaluar, ShBA ka shënjestruar mbi 100 kamionë që përdoreshin nga ISIS për tregtinë e naftës në Siri.
Nga të dhënat e zyrtarëve amerikanë, organizata terroriste përfiton rreth 40 milionë dollarë në muaj përmes prodhimit dhe eksportit të naftës.
GAZMEND REXHEPI
