Kulturë
ITKSh, iniciativë për licencimin e lektorëve
11.12.2015 15:43
Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni ka iniciuar themelimin e një sektori të veçantë...

Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni ka iniciuar themelimin e një sektori të veçantë për licencimin e lektorëve të gjuhës shqipe.
Rreth kësaj iniciative është bërë fjalë në vizitën e sotme që ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, i bëri këtij Instituti, me ç’rast u dakordua formimi i një grupi punues, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të Institutit, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Kulturës dhe Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Grupi punues në një afat shumë të shkurtët do të duhet të dalë me një plan konkret.
“Ne sot formuam grupin punues, i cili do ta përpilojë edhe platformën ose projektin me obligime dhe kërkesa konkrete dhe me përgjegjësi konkrete. Nëse do të ketë nevojë për ndryshime të ligjeve, sigurisht që iniciativa do të jetë e Ministrisë së Arsimit në bashkëpunim me Institutin, por nëse ka nevojë për obligimet tjera, ne do të qëndrojmë në përkrahje të Institutit. Besoj që do të ketë nevojë për themelimin e një sektori në kuadër të Institutit për punësime të reja në kuadër të Institutit dhe për shkrimin ose miratimin e procedurave për licencimin e lektorëve të ardhshëm të gjuhës shqipe”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Nisma ka për qëllim që nëpërmjet Institutit të licencohen lektorët e ardhshëm, theksoi drejtori i Institutit, Skender Hasani.
“Gjatë këtyre viteve kemi pasur probleme shumë të mëdha në toponiminë, në përkthime të ndryshme të cilat kanë qenë në Maqedoni, përkthimin e librave shkollorë, atyre shkencorë dhe institutet pikërisht duhet ta luajnë atë rol më të madh në këtë drejtim për ta mbrojtur gjuhën standarde. Besoj që në afat sa më të shkurtër do të fillojë edhe thirrja publike për të licencuar ose për të ndjekë ato kurse të duhura që përfundimisht t’i marrin licencat lektorët”- tha drejtori i ITKSh-së, Skender Hasani.
Ministri Ademi me këtë rast i dorëzoi drejtorit të Institutit rezolutën e Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe të mbajtur në Tiranë.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
