Maqedoni

Përmbytjet në Pollog dhe Pellagoni, BE ndan 9,8 milionë euro për sanimin e dëmeve

11.12.2015 15:49

Përmes programit për menaxhim me përmbytjet, Bashkimi Evropian do të ndihmojë në sanimin e dëmeve...

Përmes programit për menaxhim me përmbytjet, Bashkimi Evropian do të ndihmojë në sanimin e dëmeve që ndodhën si pasojë e vërshimeve gjatë këtij viti  si në rajonin e Pollogut ashtu edhe në atë të Pellagonisë. 
 
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir  Besimi, theksoi se shuma e cila është e parashikuar për sanime infrastrukturore dhe transport, si pasojë e daljes nga shtrati i lumenjve, kap vlerën prej 10 milion eurosh.
 
Sipas Besimit, këto mjete janë ridestinim i mjeteve fillestare të parapara për IPA 2013-2017, me qëllim që të ketë intervenim të shpejtë në këtë drejtim.
 
“Parashihet që me IPA 2 të ketë përkrahje edhe për ndërtim të kapaciteteve,  si në kuadër të programit nacional IPA 2, 2014-2020, po ashtu edhe në kuadër të përkrahjes rajonale multibeneficitare, ashtu siç quhet për vendet e rajonit për të krijuar kapacitete dhe strategji, që të mund në mënyrë preventive të mënjanohen”- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.
 
Euroambasadori, Aivo Orav, theksoi se Qeveria duhet të implementojë politika në bazë të së cilës do të menaxhojë me katastrofat natyrore.
 
“Dua t’i inkurajoj autoritetet nacionale që të mobilizojnë të gjitha resurset dhe të fillojnë me punën për të arritur këtë qëllim. Vullneti i mirë dhe angazhimi për të arritur këtë qëllim duhet të burojë nga vendi, sepse kjo kërkon përpjekje të plotë dhe përgjegjësi. Për të zgjidhur sfidat me ambientin është çështje kolektive dhe ne mund të kemi sukses kur secili e merr punën e vet”- tha euroambasadori, Aivo Orav.
 
Implementues i këtij projekti është UNDP , nga e cila thonë se i kanë të njohura dëmet e shkaktuara në rajonin e Pollogut dhe të Pellagonisë, që u shkaktuan si pasojë e përmbytjeve nga shirat e rrëmbyeshëm gjatë këtij viti.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU