Maqedoni
Sektori civil nënshkruan memorandumin, “Udhërrëfyes drejt zgjedhjeve të lira dhe korrekte”
11.12.2015 16:03
Asociacioni qytetar MOST, Asociacioni për Iniciativa Demokratike- Gostivar, Qendra për Analiza Ekonomike-Manastir...

Asociacioni qytetar MOST, Asociacioni për Iniciativa Demokratike- Gostivar, Qendra për Analiza Ekonomike-Manastir, Avokati i Popullit dhe Ambasada e parë e Fëmijëve “Megjashi” nënshkruam memorandum-bashkëpunimi për implementimin e projektit të ri “Udhërrëfyes drejt zgjedhjeve të lira dhe korrekte”.
Ky projekt ka për qëllim të monitorojë periudhën e para shpalljes së zgjedhjeve dhe të ngritë vetëdijen e qytetarëve sa i përket të drejtës së votës.
“Si Asociacion qytetar MOST, kemi paraparë t’u mundësojmë këshilla falas juridike për personat e administratës publike, të cilët do të frikësohen ose kërcënohen gjatë ciklit zgjedhor. Të gjitha rastet eventuale që do të paraqiten tek ne, do t’ia procedojmë Avokatit të Popullit dhe të njëjtat do t’i udhëzojmë të fillojë procedurë para organeve kompetente”- tha kryetari i Asociacioni MOST, Darko Aleksov.
“Institucionet e vendit kanë për detyrë të organizojnë zgjedhje të lira dhe demokratike pa pasur presione dhe frikësim të qytetarëve para dhe gjatë realizimit të ciklit zgjedhor”- theksoi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
“U apeloj përfaqësuesve të mediave të refuzojnë çdo fushatë zgjedhore që e vërejnë se fëmijët janë keqpërdorur për qëllime politike”- u shpreh Dragi Zmijanac nga “Megjashi”.
Projektin e sektorit civil e mbështet edhe Ambasada e Britanisë së Madhe, Irlandës Veriore dhe e Holandës në Maqedoni.
REXHEP QAMILI
