Maqedoni
Mijallkov nuk u paraqit në Komisionin Anketues, Komisioni nuk ia del të miratojë as rendin e ditës
11.12.2015 17:18
Edhe një seancë e dështuar e Komisioni Anketues për skandalin me përgjimet. Për të tretën herë me radhë Komisioni nuk arriti të miratojë as rendin e ditës...

Anëtarët e Komisionit nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe kryetari i Komisionit nga radhët e LSDM-së vazhduan akuzat e ndërsjella deri në ofendime personale për atë se kush e shkel më shumë e kush më pak rregulloren e punës.
Anëtarët e VMRO-së, madje, kërkuan nga Shilegov që të tërhiqet nga kryesimi me Komisionin, pasi vlerësojnë se nuk e respekton rregulloren për punë dhe kërkuan që këtë detyrë ta ndërmarrë zëvendësi i tij, deputeti Misovski nga radhët e PRSD-së.
“Pasi nuk mundeni, nuk doni ose nuk keni kapacitet që të respektoni rregulloren që së bashku e harmonizuam, mbase pse nuk keni mjaft përvojë në bankat e Kuvendit, nuk është keq që dikush nga grupi i juaj i deputetëve, që ka përvojë më të madhe, ta ndërmerr koordinimin dhe kryesimin me këtë seancë, që të mund të sigurohemi se, të paktën, dispozitat e rregullores do të respektohen”- tha anëtari, Antonio Milloshovski.
Mirëpo, Shilegov hodhi poshtë pretendimet e deputetëve të VMRO-së për shkelje të rregullores. Sipas tij, VMRO dëshiron që dëgjimi i dëshmitarëve të bëhet sipas skenarit të tyre.
“Është e qartë se VMRO-DPMNE nuk ka për qëllim që të mundësojë që para këtij Komisioni Anketues të paraqiten dëshmitarët e ftuar, ose këtë dëshiron ta bëjë sipas ndonjë skenari të tyre. Për fat të keq, një skenar i tillë sot ishte gatuar me përpjekje për diskreditimin tim personal, por kjo i takon edukatës personale të deputetëve të VMRO-DPMNE”- tha kryetari i Komisionit Anketues, Petre Shilegov.
Në seancë nuk u paraqit ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, si dëshmitar i radhës i ftuar nga kreu i Komisionit.
Për herë të parë në seancën e këtij Komisioni mungonin gjashtë nga 16 anëtarë gjithsej. Mungesa e anëtarëve të Komisionit nga dy grupet parlamentare të partive shqiptare u cilësua nga VMRO si bojkot për shkak të menaxhimit të keq të Komisionit dhe numërimit në vend.
SHPËTIM NUREDINI
