Maqedoni
Ndërpriten bisedimet për KShZ-në, partitë maqedonase me akuza të ndërsjella për ngecjen
11.12.2015 17:35
Ndërpriten bisedimet e Grupit punues, pasi mbrëmë palët negociatore nuk arritën marrëveshje për tre ekspertët e KShZ-së...

Ndërmjetësi, Piter Vanhaute, ishte në konsulta të sërishme në Bruksel, ndërkaq partitë maqedonase me akuza të ndërsjella për mosarritjen e kompromisit.
Nga LSDM fajësojnë VMRO-DPMNE-në se po pengon përzgjedhjen e tre ekspertëve me arsyetimin se ata nuk i plotësojnë standardet ndërkombëtare. LSDM konsideron se në listën e ekspertëve ka emra të cilët kanë përvojë ndërkombëtare në përcjelljen e zgjedhjeve dhe të cilët do të duhet të emërohen.
Sipas LSDM-së, qasja e këtillë e VMRO-DPMNE-së po vë në pikëpyetje zgjedhjet e 24 prillit. LSDM pretendon se VMRO-DPMNE nuk dëshiron të ketë ndryshime si në KShZ ashtu edhe në media.
Ndërkohë që nga VMRO–DPMNE në një takim me gazetarë thonë se me seleksionimin e kandidatëve është arritur në gjashtë dhe LSDM ka propozuar më në fund dy, të cilët kanë qenë të pranueshëm për VMRO-DPMNE-në. Por, nga partia e Gruevskit thonë se LSDM nuk është dakorduar me propozimin e BDI-së dhe PDSh-së për ekspertët shqiptarë, me arsyetimin se kandidati ka qenë i afërt me VMRO–DPMNE-në.
Partitë shqiptare, të përmbajtur nga përplasja e partive maqedonase, thonë se po zhvillojnë bisedime konstruktive në përputhje me kërkesat ndërkombëtare.
MERAL ISMAILI
