Paris, arrihet marrëveshje për ndryshimet klimatike
Pas gati dy javësh negociatash intensive, në Paris të Francës, delegatë nga 172 vende të botës kanë arritur një pakt të ri global mbi klimën, që do të parashtrojë strategjinë afatgjatë mbi mënyrat sesi do të mund të përballohen ndryshimet e saj...

Ministria e Jashtme e Francës tha se drafti do t’i paraqitet ministrave në orën 11:30 të ditës së shtunës, ndërsa deri tani nuk është bërë publik asnjë detaj në lidhje me draftin e arritur.
Marrëveshja në kryeqytetin francez u arrit gati 16 orë pasi bisedimet ishin planifikuar për t’u mbyllur. Laurent Fabius, ministri i Jashtëm francez, i cili ka kryesuar bisedimet në këtë samit tha më herët se situata nuk është aspak e mirë, për arritjen e një marrëveshje të fortë dhe ambicioze.
Megjithatë u shpreh i sigurt për të prezantuar draftin përfundimtar në orët e para të së shtunës. Po ashtu më herët edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon u shpreh se, pavarësisht faktit që ka qenë pjesë e shumë marrëveshjeve, negociatat këtë herë i cilësoi si më të komplikuara, pasi - sipas tij, - lidhen drejtpërdrejt me njerëzimin.
