Zaev: LSDM këmbëngul që zgjedhjet të mbahen; Pa zbatimin e “Përzhino-s” zgjedhjet janë pa vlerë
Kreu i opozitës maqedonase Zoran Zaev i ka hedhur poshtë spekulimet se LSDM dëshiron t’u shmanget zgjedhjeve në pranverë...

Sipas tij LSDM është ajo që ka nxitë zgjedhje të parakohëshme dhe insiston që zgjedhjet të mbahen në afatin e paraparë me Marrëveshjen politike të dy qershorit, duke i plotësuar paraprakisht të gjitha kushtet e nevojshme për zgjedhje korrekte të numëruara në këtë dokument.
"LSDM i nxiti zgjedhjet e parakohëshme dhe LSDM këmbëngul që zgjedhjet të mbahet, por zgjedhje korrekte, demokratike dhe të rregullta. Zgjedhje sa për zgjedhje nuk na duhen. Zgjedhjet duhet të jenë të pastra, jo përafërsisht të rregullta dhe demokratike, por patjetër të rregullta dhe demokratike. Këtë e dinë edhe kundërshtarët tanë politikë VMRO DPMNE dhe pjesëmarrësit e tjerë në zgjedhje. E dijnë se qëllimi final është që fituesi të ketë legjitimitet të plotë” – deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Marrëveshja e Përzhinës duhet zbatuar më së voni deri më 15 janar, thotë Zaev, në të kundërtën pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë e pavlerë pasi në këtë rast zgjedhjet do të jenë të dyshimta që në fillim.
“LSDM nuk pranon në muajin mars të ketë refleksion të diçkaje që është dakorduar. Ne na duhen refleksione, më së voni për krishtlindje, deri më 15 janar, që të shohim rezultate nga marrëveshja. Nëse nuk ka rezultate nuk ka zgjedhje korrekte dhe demokratike, atëherë ëshë apsolutisht e pavlerë edhe për ne edhe për VMRO-në dhe të tjerët që të marrin pjesë në zgjedhje të cilat që në fillim do të jenë të dyshimta, dhe ky nuk ishte qëllimi për të cilin u morrëm vesh” – tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev hodhi poshtë edhe akuzat e VMRO-së se LSDM po bllokon bisedimet për përbërjen e KSHZ-së, pasi nuk i pranon kandidatët e propozuar nga BDI dhe PDSH.
“Në zgjedhim ekseprtë. Dua të theksoj, ekspertë. Përpërja e re e KSHZ-së ka përmbajtje dhe kompetenca të reja, pikërisht për shkak të ekspertëve. Përkrah tre anëtarëve nga pushteti, ka edhe tre përfaqësues nga opozita dhe tre ekspertë. Ekspertët duhet patjetër të jenë ekspertë” – u shpreh kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Sipas Zaev, nuk ka marrëveshje përfundimtare as për kandidatët për anëtarë të KSHZ-së të propozuar nga LSDM dhe VMRO. Kemi afruar qëndrimet, por nuk ka dakordim final, thekson Zaev.
Një çështje tjetër me rëndësi që duhet mbyllur deri më 15 janar, sipas Zaev, është edhe rregullimi ligjor i hapësirës mediatike dhe zgjedhja e ekspertëve që do të zbatojnë këto ligje në praktikë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
