Botë

ShBA, rikthehet frika e protestave, policia vret dy të rinj me ngjyrë

14.12.2015 13:03

Dy policë qëlluan dhe vranë me 17 plumba një 28 vjeçar me ngjyrë në Kaliforni...

Nicholas Robertson ishte i armatosur dhe sipas dëshmitarëve qëlloi disa herë në ajër para se të vritej nga policët të cilët fillimisht e paralajmëruan dhe më pas qëlluan në drejtim të tij. Kjo ngjarje ka ngjallur frikën e përsëritjes së protestave si një vit më parë kur policia vrau një tjetër të ri me ngjyrë.
 
“Një video survejimi tregon të dyshuarin se si shikon në drejtim të policëve me armën e drejtuar nga ata. Ne gjithsesi po hetojmë videon dhe kërkojmë një hetim të pavarur. Kërkojmë nga komuniteti të mos shpejtojë në reagimin e tij, pasi është e njëjta situatë si në Çikago, një vit më parë”- deklaroi shefi i Departamentit të Policisë-Los Angeles, Steve Katz.
 
“Kjo mund të kthehet në një Ferguson të dytë dhe ne nuk duam që një gjë e tillë të ndodhë. Nuk duam njerëzit të dalin në protesta në rrugë e të shkatërrojnë bizneset. Është me shumë rëndësi të kuptojmë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, sepse për momentin ne dyshojmë se ai është qëlluar pas shpine”- tha aktivisti i të drejtave të njeriut, Najee Ali.
 
“Për momentin nuk mund të them nëse vepruan drejt apo jo. Ata kanë një protokoll, por nga videot duket se ai nuk përbënte rrezik për policët”- theksoi familjari i viktimës, Michael Green.
 
Për momentin policët janë pezulluar deri në përfundim të hetimit. Ky nuk është incidenti i vetëm në ShBA. Një polic qëlloi mbi një student me ngjyrë edhe në Universitetin e Teksasit. 21 vjeçari, Ryan McMillann, i armatosur me sëpatë po kërcënonte sigurinë e studentëve të tjerë. 
 
Policia amerikane është kthyer në temë debati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbi mënyrën e operimit të tyre, pasi shpesh herë është vënë në dyshim se ata veprojnë me standarde të dyfishta në bazë të ngjyrës apo racave të ndryshme.
 
GAZMEND REXHEPI