Maqedoni
Hani: Gruevski të dorëhiqet sipas marrëveshjes
14.12.2015 16:12
Me Marrëveshjen e Përzhinës parashihet që kryeministri, Nikolla Gruevski, të japë dorëheqje 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare...

Me Marrëveshjen e Përzhinës parashihet që kryeministri, Nikolla Gruevski, të japë dorëheqje 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por njohësit e çështjeve politike në vend janë skeptikë se Gruevski do të ndërmerr një veprim të tillë.
Sipas analistit politik, Albert Hani, edhe pse u shkelën pothuajse të gjitha afatet, është mirë që kryeministri me kohë t’ia lirojë vendin dikujt nga partia e tij, sepse në të kundërtën mund të vijë deri te dështimi i plotë i vetë marrëveshjes politike.
“Tani është e rendit që të organizohet kjo rrëmujë e politikës në këtë shtet mbi gërmadhat e dështimeve dhe mosrespektimit të afateve lidhur me Marrëveshjen e Përzhinës nuk duhet t’i shtohet edhe një mosrespektim lidhur me dorëheqjen e kryeministrit. Kryeministri duhet të japë dorëheqje dhe me atë të respektojë edhe vet premtimin e tij, por në të njëjtën kohë mos të ofendojë shtetin si dhe popullatën”- deklaroi analisti, Albert Hani.
Analisti Hani thotë se edhe pas Marrëveshjes së Përzhinës kriza politike ende nuk ka përfunduar dhe partitë politike vazhdojnë betejën e tyre politike.
“Ka pasur shumë dështime dhe mosrespektime të afateve, mirëpo është e pritur që të ketë kacafytje lidhur me mediat, posaçërisht ku është krijuar njëfarë lloj kulture të ndikimit në mediat dhe në punën e gazetarëve. Në realitet politika na tregon se kandidatët e pavarur nuk janë edhe aq të pavarur, me qenë se vetë procesi i zgjedhjes së kandidatëve të pavarur varet nga ata që i krijojnë politikat. Nuk është krijuar njëfarë lloj sistemi i cili mund të sjellë deri te një kandidat me të vërtetë të pavarur”- tha analisti, Albert Hani.
Njëherit, Hani nuk beson se zgjidhjet e momentit do të jenë zgjidhje konzistente.
SANIJE KASAMI
