Maqedoni

Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, studentët kundër prerjes së drunjve, dekanët pro ndërtimit të fakulteteve

14.12.2015 17:20

Përfaqësues të Plenumit Studentor dhe Organizatës për të rinj “Mugra”, që në mëngjes bllokuan hyrjen e Rektoratit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup...

Të revoltuar për shkak të prerjes së drunjve në parkun e Universitetit dy ditë më herët, ata sot kanë kërkuar që në mënyrë urgjente të ndërpritet fillimi i ndërtimit në atë hapësirë të fakultetit për Shkenca Informatike dhe Inxhinieri Kompjuterike dhe të Fakultetit për Edukatë Fizike.
 
Plenumi i Studentëve kërkon edhe dorëheqjen e menjëhershme të rektorit të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Velimir Stojkovski, për shkak të, siç thonë, mungesës së kapacitetit për ta mbrojtur autonominë e Universitetit, që është e garantuar me Kushtetutë. Nga Plenumi Studentor paralajmërojnë se planifikojnë ta bllokojmë hyrjen e Rektoratit çdo ditë gjatë orarit të punës.
 
“Ne mendojmë se ndërtimi i këtyre ndërtesave është në mënyrë jolegale dhe ne sot kemi dërguar ankesë deri tek Inspektorati, sepse këtu nuk ka leje për ndërtim. Ne kërkojmë nga Rektorati që të ndalojnë ndërtimin e ndërtesave të dy fakulteteve”- deklaroi Demir Haxhiangellkovski nga Plenumi Studentor.  
                                                                                      
“Këto ndërtesa janë në mënyrë legale, në mënyrë të çuditshme janë të vendosura këtu. Kërkesa jonë kryesore është përgjigje nga zyrtarët që janë përgjegjës për këtë punë, e dyta ndalimin dhe ndërtimin e ndërtesave”- tha Driton Alili nga OJQ “Mugra”.  
                            
Por, dekanët e dy fakulteteve, të mbështetur edhe nga disa studentë, kërkojnë që mos të ndërpriten punimet për ndërtimin e këtyre fakulteteve.    
                              
“Ne luftojmë të jemi të barabartë, sepse edhe ne jemi pjesë e këtij Fakulteti. Nuk kemi bërë protesta kundërshtuese, por kemi pasur aksion ekologjik, ku ne mundohemi të mbjellim drunj në kompensim për ata drunj që duhej të priten për të ndërtuar Fakultetin për Edukatë Fizike”- theksoi dekani i Fakultetit për Edukatë Fizike, Vujica Zhirkoviq.    
                                                                   
“Numri i studentëve që regjistrohen në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike rritet çdo vit. Më në fund jemi afër posedimit të një objekti dhe nuk do të donim që në këtë moment të ndërpritet ndërtimi i godinës, të cilën e kemi pritur me vite, me dekada”- u shpreh dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Ivan Corbev.
 
Por, derisa studentët e kishin bllokuar hyrjen në Rektorat, ekskavatorët vazhdonin me pastrimin e terrenit nga drunjtë, aty ku duhet të ndërtohen objektet e lartpërmendura. 

REJHAN BUSHI-METAJ