Botë
Kuvendi i Kosovës, sërisht gaz lotsjellës dhe arrestime deputetësh
14.12.2015 17:22
Sërish gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe më pas edhe arrestime të deputetëve...
Me të filluar seanca, deputetët e opozitës hodhën gaz lotsjellës, pas çka kryeparlamentari, Kadiri Veseli, thirri mbledhje të kryesisë së Kuvendit, ku po ashtu u hedh gaz lotsjellës nga nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti.
Por, as gazi lotsjellës nuk e pengoi kryesinë e Kuvendit që të përjashtojë deputetët e opozitës nga punimet e mëtejme, pas çka në sallën alternative vazhduan punimet e Kuvendit rreth propozim-buxhetit për vitin e ardhshëm, i cili u miratua me 78 vota për, asnjë kundër apo abstenim.
Megjithëse gazi lotsjellës nuk mungoi edhe në sallën alternative, i cili u hodh nga deputetja e Vetëvendosjes, Besa Baftiu, të cilës iu mundësua të hyjë në sallën ku mbahej seanca.
Ndërkohë, u njoftua për arrestimin e deputetit të AAK-së, Palë Lekaj, nga Policia, pasi ai u pa të hidhte sot gazin lotsjellës. Por para se të arrestohej, ai tha se opozita është e vendosur për të kundërshtuar me të gjitha mjetet për Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin.
“Kjo Qeveri është historia më e errët e Kosovës, prandaj ne si opozitë jemi të vendosur të vazhdojmë me qëndrimet tona edhe me qytetarët me protesta dhe veprime në Kuvendin e Kosovës”- deklaroi deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
Ndërsa jashtë Kuvendit të Kosovës pati përleshje mes përkrahësve të opozitës dhe Policisë, pasi protestuesit kanë hedhur me gurë dhe ngjyrë në drejtim të ndërtesës së Kuvendit.
U njoftua edhe për të paktën dy protestues të arrestuar.
GYLTENE SINANI
