Maqedoni

Rasti “Monstra”, Apeli konfirmon dënimet e përjetshme, Raufi: Janeva ta marrë rastin, i kemi dorëzuar kërkesë

14.12.2015 18:00

Gjykata e Apelit vërtetoi gjykimin e Gjykatës Themelore Shkupi 1 për rastin “Monstra”...

Gjykata e Apelit vërtetoi gjykimin e Gjykatës Themelore Shkupi 1 për rastin “Monstra”, duke lënë në fuqi vendimin për dënim me burgim të përjetshëm për 6 të akuzuarit në këtë rast. 
 
“Pas seancës së mbajtur publike dhe analizës gjithëpërfshirëse të dëshmive dhe vlerësimit të informatave ankimuese, ankimimet e të akuzuarve A.I., A.D., A.I., F.A. dhe S.L., të shpallur si fajtorë për vepër penale "terrorizëm" nga Kodi Penal, si bashkëkryerës, dhe i akuzuari H.A. i shpallur fajtor për vepër penale "terrorizëm", si ndihmës, të dënuar me dënim burg të përjetshëm të shqiptuar nga ana e Gjykatës së shkallës së parë, refuzohen si të pabaza"- thuhet në kumtesën e Gjykatës së Apelit.
 
Avokati, Naser Raufi, thotë se edhe vendimi i Gjykatës së Apelit është vendim i pastër politik. 
 
“Mendoj që edhe më tej vazhdon montim i këtij rasti, që është montim flagrant dhe se jemi shumë larg nga sundimi i të drejtave të njeriut dhe si gjykime ligjore. Ne presim që shpejt ta pranojmë këtë vendim brenda këtyre ditëve, ndoshta edhe nesër. Kuptohet se do të dorëzojmë ankesë te Gjykata Supreme. Mendoj se në këtë instancë, deri atëherë do të prezantohen provat që e tregojnë dhe shpjegojnë montimin e këtij rasti. Mendoj se ky rast do të kapet me seriozitet nga ana e gjyqit dhe do të gjykohet jo me direktiva”- deklaroi avokati mbrojtës në rastin “Monstra”, Naser Raufi.                
 
Por, megjithëkëtë, me pesimizëm në sistemin e drejtësisë, Raufi paralajmëron se rastin do ta ankimojnë më tej në Gjykatën Supreme.
 
Ai shprehet i habitur ndërkohë me prokuroren speciale, Katica Janeva, e cila deri tani nuk ka dorëzuar asnjë kërkesë për këtë rast, megjithëse rasti “Monstra” është një ndër rastet për të cilin, sipas liderit të opozitës, Zoran Zaev, ka dëshmi në materialet e përgjuara.
 
“Disa herë jepeshin deklarata të ndryshme nga lideri i opozitës se posedon dhe i posedon provat për rastin “Monstra”. Ne kemi reaguar te Prokuroria Speciale për prioritet të kësaj lënde dhe ia kemi dorëzuar më 10 nëntor, por nuk kemi  pasur asnjë reagim deri më tani. Na befasoj konstatimi i atyre se kinse nuk e kanë pranuar, që mendoj se është shumë joserioze për një institucion siç është PS. Mund të paramendoni se kur një kërkesë nuk mund ta dijë Prokuroria, që vetë e ka pranuar dhe e ka dhënë vulën, çka bëhet me dokumentet e tjera, ndoshta arsyeja është mosekipimi i vetë prokurorisë. Por, nuk mendoj se mund të ketë kapacitet edhe Prokuroria Speciale që të vazhdojë për këtë rast për të siguruar provat”- theksoi avokati mbrojtës në rastin “Monstra”, Naser Raufi.        
       
Për rastin “Monstra” janë dënuar 6 persona me burg të përjetshëm. 
 
REXHEP QAMILI