Maqedoni

Prioritetet e Ministrisë së Transportit: korridori 8 dhe autostrada Shkup-Bllacë

14.12.2015 18:18

Prioritet për Ministrinë e Transportit për vitin 2016 janë ndërtimi i korridorit 8, si korridor pan-evropian, autostrada Shkup-Bllacë...

Prioritet për Ministrinë e Transportit për vitin 2016 janë ndërtimi i korridorit 8, si korridor pan-evropian, autostrada Shkup-Bllacë, si dhe autostrada Kërçovë-Strugë.
 
Këto u potencuan në takimin e delegacionit të BDI-së, të udhëhequr nga ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, dhe deputetët, Artan Grubi dhe Rexhail Ismaili, me zëvendësministrin e Transportit, Nimetulla Halimi, ku u njoftuan me projektet të cilat janë realizuar dhe duhet të realizohen në të ardhmen.
 
“Prioritet i veçantë i BDI-së për vitin 2016 do të mbetet ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë, korridori 8, si korridor pan-evropian, gjithashtu do të mbetet prioritet në vitin 2016 ndërtimi i autostradës Gostivar-Kërçovë. Është formuar një Komision ndërministror, të cilin Qeveria në të ardhmen do të caktojë mënyrën e financimit të këtij aksi rrugor, që është 42 kilometra. Vlera e këtij projekti mund të arrijë në afër 500 milion euro, që mund të jetë investimi më i madh në historinë e RM-së”- deklaroi zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Nimetulla Halimi.
 
Ndërsa ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, në takim ka diskutuar për master-planin për Zonën e Lirë Industriale në Tetovë, si dhe theksoi se sfidë kryesore mbetet ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë.
 
“Unë si ministër i Ekonomisë ngrita iniciativën për master-planin e Zonës së Lirë Ekonomike në Tetovë dhe hasa në mirëkuptim nga ana e kolegut tim, dhe besoj që në një afat prej 7 ditësh do të kalon edhe master-plani për Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë. Një ndër sfidat që na presim është edhe përfaqësimi sa më adekuat në Ministrinë e Transportit dhe sfida e cila është rruga Shkup-Bllacë, të cilën mendojmë që do e përfundojmë dhe do ketë ankand deri në fillim të vitit 2016”- theksoi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
Gjithashtu zëvendësministri Halimi informoi për investimet që do të bëhen në infrastrukturën hekurudhore, siç janë hekurudha Kumanovë-Bellanoc, renovimi i stacionit hekurudhor në Shkup, linja Kërçovë-Lin, vlera e të cilave, sipas tij, arrin në 50 milion euro. 
 
ERSAN PAJAZITI