Maqedoni

Gruevski para Komisionit Anketues pa prezencën e mediave dëshmoi për përgjimet

14.12.2015 18:27

Kryeministri, Nikolla Gruevski, në dyer të mbyllura, pa prezencën e gazetarëve, dëshmoi para Komisionit Anketues për skandalin e përgjimeve...

Dhënia e deklaratës së tij zgjati më shumë se tre orë e gjysmë. Pas përfundimit, Gruevski ka thënë se i është përgjigjur të gjitha pyetjeve të 16 anëtarëve të Komisionit Anketues dhe se ato janë veç më të njohura për opinionin.
 
Megjithatë, kryetari i Komisionit Anketues, Petre Shilegov, thotë se nuk ka qenë e nevojshme që seanca të jetë e mbyllur, pasi që nuk janë dhënë informacione të klasifikuara.
 
Edhe pse debati është zhvilluar në një atmosferë të qetë, thuhet se përgjigjet e kryeministrit Gruevski kanë qenë të shkurtra dhe shterpe.
 
Gruevski para fillimit të dhënies së dëshmisë së tij tha se është i gatshëm t’u përgjigjet pyetjeve të të gjitha partive.
 
“Unë veproj në bazë të rregullores, që të mundem në atmosferë të qetë t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve. Seanca incizohet, do të kenë stenogram të cilat do të jenë valide”- tha kryeministri, Nikolla Gruevski.
 
Megjithatë, stenogramet e dëshmisë nuk do të bëhen publike. Sipas rregullores së Komisionit Anketues, anëtarët kanë pasur të drejtë të parashtrojnë nga tre pyetje nga pesë minuta, gjithsej 15 minuta. Në kohëzgjatjen e njëjtë kanë qenë edhe përgjigjet e kryeministrit Gruevski.
 
Nisja e punës së Komisionit Anketues u parapri nga një përplasje midis opozitës maqedonase dhe VMRO-DPMNE-së, të cilët me këmbëngulje mbronin kërkesën me shkrim të kryeministrit Gruevski që të dëshmojë larg syve të mediave. 
 
Ndërkohë që në pjesën e parë të punës së Komisionit Anketues nuk erdhi për të dëshmuar ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska. 
 
Nesër para Komisionit Anketues pritet të paraqitet ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.
 
MERAL ISMAILI