Maqedoni
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli për TV ART: hetim ndërkombëtar për rastin e Kumanovës!
14.12.2015 18:35
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar hetim ndërkombëtar për incidentin e armatosur në Kumanovë...

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar hetim ndërkombëtar për incidentin e armatosur në Kumanovë dhe procesin e nisur gjyqësor kundër 29 personave të cilët akuzohen për veprimtari terroriste.
Veseli këto komente i bëri në një intervistë për TV ART, me ç’rast ka hedhur poshtë pretendimet se Kosova është e implikuar në këtë rast.
“Është një situatë për të cilën duhet të shkohet deri në fund, në një hetim ndërkombëtar, veçanërisht të shihet a është e implikuar Republika e Kosovës atje apo ka një tendencë të manipulimit, e cila është zhvilluar veçanërisht me situatën në Kumanovë. Ne respektojmë organet maqedonase të cilat e bëjnë punët e vetë. Ne dënojmë çdo akt dhe përpjekje të sulmit në Republikën e Maqedonisë, por ajo çfarë kërkojmë është që të rritet veçanërisht besueshmëria e gjithë qytetarëve në atë shtet, i cili është një faktor i stabilitetit në rajon. Të rritet besueshmëria dhënë të njëjtën kohë të ketë involmim më të madh, veçanërisht të faktorit shqiptar në institucionet e Republikës së Maqedonisë, që edhe aktualisht është shumë pozitive, por mos të lejohet që në situata të cilat mund të ndodhin, çfarëdo qofshin, të ketë kriza të paqena politike”- deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës gjithashtu ka komentuar edhe tensionet politike në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij, si rezultat i kundërshtimit të opozitës së atjeshme ndaj Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi, të cilat, sipas tij, nuk janë përfundimtare, prandaj opozita duhet të lejojë Kuvendit që të debatojë.
Por, Veseli pranon se arrestimi i deputetëve opozitarë është goditje ndaj demokracisë.
“Çdo arrestim i deputetëve të opozitës, më lejoni ta theksoj, është një goditje e demokracisë sonë, por edhe çdo shkelje e ligjit nga opozita, abuzim me ligjin, me shtetin ligjor, është tentativë për të dërguar një mesazh negativ se Republika e Kosovës është shtet jofunksional, sikurse mundohen ta paraqesin veçanërisht qarqet kundër Republikës së Kosovës ta bëjnë këtë, se është një shtet i cili nuk respekton ligjet, se është një shtet i cili është inekzistent. Ne këtë nuk mund ta lejojmë. Thjesht, kjo është arsyeja edhe e reagimit institucional. Shteti ligjor duhet të respektohet”- tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
I pyetur për mundësinë e afrim-pajtimit shqiptaro-serb, Veseli tha se “populli ynë ka vuajtur shumë, ne i jemi nënshtruar edhe një situate të gjenocidit. Kemi arritur ta tejkalojmë këtë.
Me arsyeshmëri dhe pjekuri shumë të matur po ecim nëpër këto procese, të cilat nuk janë shumë të lehta, por jemi të vendosur që të ndërtojmë fqinjësi të mirë, që të ndërtojmë raporte të mira me gjithë fqinjët tanë, që ta zhvillojmë shtetin tonë”.
BESIM ABDULLAI
