Maqedoni

Çështja e emrit, BDI intensifikon aktivitetet për zgjidhje sa më të shpejtë

15.12.2015 16:39

Bashkimi Demokratik për Integrim është e interesuar që të zgjidhet çështja e emrit në interval kohor sa më të shpejt dhe për këtë arsye nga BDI...

Bashkimi Demokratik për Integrim është e interesuar që të zgjidhet çështja e emrit në interval kohor sa më të shpejt dhe për këtë arsye nga BDI kanë filluar aktivitetet për intensifikimin e bisedimeve me palën greke.
 
Çështja e emrit është çështje shumë e vështirë dhe emotive dhe nevojitet qasje racionale për tejkalimin e kësaj çështje, theksoi deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
 
“Kemi nisur disa aktivitete që dialogu të intensifikohet edhe para mbajtjes së zgjedhjeve të 24 prillit, me ç’rast edhe zgjidhja finale të lihet pas përfundimit të procesit zgjedhor në vend. Ne shpresojmë që këto takime të intensifikohen dhe të  rezultojnë me formimin e një grupi negociator midis Shkupit dhe Athinës,  që do t’i tejkalonte dallimet mes palëve, po me takime intensive dhe jo me takime një herë në vjet, një herë në katër muaj, që do mbaheshin në Nju Jork. Kërkojmë dialog të mirëfilltë midis palëve që do të zhvillohet në Shkup dhe Athinë, por mundësisht edhe me ndërmjetësimin e faktori euroatlantik”- deklaroi Artan Grubi nga BDI.
 
Nënkryetari i Parlamentit, Antonio Miloshovski, vizitën e pasnesërme të ministrit të Jashtëm Popovski në Athinë e quajti të  rëndësishme dhe një hap drejt zgjidhjes së çështjes së emrit, por mes tjerash thotë se nëse Greqia nuk respekton vendimin e Gjykatës së Hagës, asnjë hap tjetër politik nuk është me rëndësi.
 
“Greqia si anëtare e ndërgjegjshme e Kombeve të Bashkuara, nëse dëshiron të japë kontributin e vet në kontestin bilateral, duhet ta respektojë vendimin e gjykatës ndërkombëtare të Hagës. Të gjitha masat tjera do të ishin vetëm për të lënë përshtypje dhe do të kishin rolin e fasadës dhe nuk do të nënkuptojë hap përpara drejt debllokimit të Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së”- tha nënkryetari i Parlamentit, Antonio Miloshovski.
 
Ndërkaq, LSDM-ja opozitare duke komentuar vizitën e ministrit Popovski në Athinë deklaroi se, çdoherë kur kryeministri Nikolla Gruevski përballet me probleme të mëdha, defokuson opinion kinse po merret me zgjidhjen e kontestit të emrit me fqinjin jugor.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU