Zhbllokohet hyrja para rektoratit, dy ditë kohë për t’i sqaruar kërkesat e studentëve

15.12.2015 16:40

Plenumi Studentor dhe Organizata Joqeveritare “Mugra” kanë zhbllokuar hyrjen e rektoratit dhe kërkojnë që deri ditën e enjten të shqyrtohen kërkesat e tyre...

Plenumi Studentor dhe OJQ “Mugra” thonë se nuk janë kundër ndërtimit në Fakultetin për Shkenca Informatike dhe Inxhinieri Kompjuterike dhe të Fakultetit për Edukatë Fizike, por dyshojnë se lokacionet e planifikuara më parë për ndërtimin e fakulteteve mund të përdoren për qëllime private.

“Ne tani do t’i paraqesim kërkesat tona deri tek rektorati. Ju japim afat deri ditën e enjte për t’u sqaruar, sepse mendojmë se është një kohë e mjaftueshme që rektori të mund të ju përgjigjet kërkesave tona. Shpresojmë se brenda dy ditëve do të kemi përgjigje”- deklaroi Kirill Doncov nga OJQ “Mugra”.

“Duke pasur parasysh se fillimisht ka tre lokacione ku mund të ndërtohen këto dy fakultete, lokacioni i parë është filluar në vitin 2002, ku presidenti Boris Trajkovski ka vendosur gurthemelin në Fakultetin Matematiko–Natyror, lokacioni i dytë është në hapësirat  e Fakultetit të Arteve Dramatike, ku sipas planit detal urbanistik të Komunës Qendrës, ka vend për ndërtimin e një institucioni arsimor. Rreth Fakultetit të Kulturës Fizike në vitin 2012 është dhënë vendimi i Ministrisë së Arsimit dhe janë siguruar fonde për ndërtimin e një projekti për të ndërtuar fakultetin në lokacionin ekzistues të fakultetit”- tha Gjorgji Rajqinovski nga Plenumi Studentor.

Studentët i bëjnë thirrje senatit të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” që deri të enjten urgjentisht të zhvillojnë takim me qëllim që sa më hollësisht t’i prezantojnë argumentet e tyre, por edhe të kërkohet përgjegjësi nga rektori për mungesë të transparencës gjatë gjithë këtij  procesi.(Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)