Basketboll

Leonard lider te San Antonio, fitojnë Clippers dhe Miami

15.12.2015 16:45

Mbrëmje e ngjeshur me ndeshje ajo e djeshmja në NBA, plot 10 të tilla, ku nuk kanë munguar surprizat dhe emocionet...

San Antonio Spurs ka fituar 118-81 ndaj Utah Jazz, duke korrur suksesin e 21-të sezonal.
 
Një lojë në rritje e Spurs, që konfirmohen si rivali kryesor i Golden State. Sërish Leonard me 22 pikë është protagonist për San Antonion, por çelësi i suksesit është grupi dhe stoli, pasi të gjithë lojtarët e trajnerit Popovich realizuan pikë.
 
Triumfon në Perëndim edhe Dallas, 104-94 ndaj Phoenix, në një ndeshje të dominuar nga Maveriks. Plot 6 lojtarë të Dallasin realizuan mbi 12 pikë, ku u dalluan Williams (18), Felton (17) e Parsons (17), ndërsa 23 pikët e Bledsoe për vendasit mbetën për statistikë.
 
Në Lindje, fiton skuadra e Miami, që mundi 100-88 Atlantën, një duel mes dy ekipesh pretendente në këtë Konferencë.
 
Bazemore realizoi 28 pikë për Atlantën, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen e 12-të sezonale, ndërsa për ekipin nga Florida u dalluan Bosh me 24 pikë e 10rebaund si dhe Green me 20 pikë.
 
Fitore të lehtë arriti Chicago, që mundi 115-96 Philadelphian e vendit të fundit. Gjithçka u vendos në pjesën e dytë, ku u dallua Butler me 23 pikë, ndërsa 22 pikët e Okafor mbetën për statistikë. Memphis ndali 112-95 Washington falë 224 pikëve e 12 rebaund të Marc Gasol, mbështetur edhe nga Barnes me 20 pikë.
 
Në sekondat e fundit fitojnë Clippers, 105-103 ndaj Detroit, duke korrur suksesin e 15-të sezonal. U dallua Griffin me 34 pikë, më i miri në fushë për kalifornianët, mbështetur edhe nga Redick me 24 pikë.
 
Për Detroit shkëlqeu Jackson me 34 pikë, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen. Indiana befason Toronton, duke fituar 106-90, falë 20 pikëve e 13 rebaund të Hill, që e nisi ndeshjen nga stoli. DeRozan dhe Lowry për kanadezët realizuan nga 20 pikë secili, por që s’mjaftuan.
 
Denveri mposhti 114-108 Houston, në një duel të hapur dhe të ekuilibruar deri në fund. Vendimtar me 23 pikët e tij ishte Barton, mbështetur edhe nga Harris me 21 pikë.