Rajoni i Tetovës arrin kulmin e ndotjes, shoqatat ngrenë zërin
Ndotja e ajrit mbrëmë në Tetovës ka kapur shifrat alarmuese, ku grimcat PM10 kanë arritur në 996 mikrogram për metër kub, apo 20 herë më shumë se limiti i lejuar...

Si pasojë e ndotjes së madhe shoqatat “Nëna dhe Fëmija” dhe “Eko Guerilla” kanë reaguar, duke mos i lëshuar fëmijët e tyre në shkolla dhe presin që edhe prindërit tjerë t’ju bashkëngjiten në bojkotimin e mësimit dhe bllokimin e institucioneve shtetërore dhe rrugëve kryesore të qytetit.
“Është koha të bëhemi bashkë pozitë opozitë, të gjitha nacionalitetet, nuk është pyetja më a do sëmuremi, por kur do të sëmuremi. Do nisim t’i bllokojmë rrugët, t’i bllokojmë institucionet, sepse vërtetë kemi nevojë për një zgjidhje, nuk duhet të presim që të bëhet 900 ndotja që ne të kërkojmë zgjidhje ose të diskutojmë në parlament”- deklaroi Elmedina Abdullai nga “Nëna dhe Fëmija”.
I mendimit të njëjtë është edhe kryetari i Lëvizjes “Eko Guerrilla”, i cili u shpreh se kjo situatë është e padurueshme dhe do të protestojnë së bashku, sepse kjo është në të mirë të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Pollog.
“Ndërkohë që kemi pritur nga qeveria, nga komuna që të merret më seriozisht me çështjen e ndotjes së ajrit në Tetovë. Mungesa e kompetencës së tyre, paaftësia e tyre për të zgjidhur këtë problem solli që mbrëmë të kapet maja dhe kemi arritur sot në 1000 mikrogram. Kjo situatë është e padurueshme dhe për këtë rezultat, për këtë arsye kemi vendosur që gjatë kësaj jave të thërrasim në protesta. Protestat do jenë jo vetëm tubime masive, por do fillojmë edhe me bllokim rrugësh”- tha Arianit Xhaferi nga “Eko Guerrilla”.
Lëvizja “Eko Guerrilla” së bashku më Shoqatën “Nëna dhe Fëmija” paralajmëruan se do të fillojnë me protesta dhe bllokim të rrugëve që nga dita e enjte. (Visar Sadiki, TVM2)
