Maqedoni

“Kumanova”, Mehmeti pret ambasadorin Hysa, konfirmon dhunën ndaj të arrestuarve

15.12.2015 17:00

Avokati i popullit, Ixhet Mehmeti, ka diskutuar me ambasadorin e Kosovës, Ylber Hysa, për mbrojtjen e të drejtave të shtetasve të Republikës së Kosovës...

Avokati i popullit, Ixhet Mehmeti, ka diskutuar me ambasadorin e Kosovës, Ylber Hysa, për mbrojtjen e të drejtave të shtetasve të Republikës së Kosovës, që janë pjesë e procesit gjyqësor për ngjarjet në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë.

Ky takim erdhi pas ankesave të të akuzuarve dhe familjarëve të tyre për keqtrajtimin e tyre pas seancës së parë gjyqësore.

Hysa shprehu shqetësimin për ankesat e drejtuara në adresë të tij nga ana e familjarëve të këtyre persona, që kanë të bëjnë me trajtimin e keq, veçanërisht gjatë transportimit të tyre deri në gjykatë.

Mehmeti  e informoi ambasadorin Hysa se ky rast ndiqet që nga dita e parë nga zyra e Avokatit të Popullit dhe pas marrjes së informatave janë hapur dy procedura të reja.

Personat e paraburgosur janë vizituar, me ta është zhvilluar bisedë, është kontrolluar dokumentacioni shëndetësor dhe pas gjithë këtyre procedurave, Avokati i Popullit konsideron se ka elemente të mjaftueshme për dyshime se gjatë transportit ndaj tyre është kryer vepër penale.

Për të dhënat e konstatuara Avokati i Popullit deri te prokurori publik do të paraqesë kallëzim për hapjen e procedurës me qëllim të përcaktimit të përgjegjësi penale për nëpunësit policorë.

Ambasadori Hysa theksoi nevojën e respektimit të të gjitha të drejtave dhe procedurave të personave që gjenden në paraburgim. 

REXHEP QAMILI