Këshilli i BE-së: zbatoni urgjentisht marrëveshjen politike
Bashkimi Evropian është jashtëzakonisht i shqetësuar me situatën në vend, sidomos me mungesën e kompromisit mes dy partive më të mëdha maqedonase...

Bashkimi Evropian është jashtëzakonisht i shqetësuar me situatën në vend, sidomos me mungesën e kompromisit mes dy partive më të mëdha maqedonase, gjë që thellon edhe më tej krizën politike.
KE mund të shtyjë rekomandimin për hapjen e negociatave me Maqedoninë me kusht implementimin e Marrëveshjes politike të Përzhinës dhe zbatimin e reformave urgjente.
Në takimin e sotëm të ministrave të jashtëm të BE-së u potencua shqetësimi edhe për mosarritjen e marrëveshjes për mediat, reformat në gjyqësi dhe mungesën e besimit të qytetarëve tek institucionet shtetërore.
Këshilli i Bashkimit Evropian kërkon nga Prokuroria Speciale dhe nga Komiteti Parlamentar Hetimor hetim të detajuar dhe të pavarur të rasteve që burojnë nga skandali i përgjimeve, deri në zbardhjen e përgjegjësive politike të të përfshirëve.
Nga ky këshill u bëjnë thirrje autoriteteve shtetërore të sigurojnë funksionim të pavarur të këtyre trupave.
“Njëkohësisht duhet të hetohen plotësisht ngjarjet në Kumanovë në mënyrë transparente dhe objektive, përsërisin nga ky Këshill. Vendi duhet të zbatojë reformat prioritare dhe atë në mënyrë urgjente, duhet me urgjencë të përfundojë analiza e Marrëveshjes së Ohrit! Rekomandimet që dalin nga analiza, duhet të zbatohen urgjentisht! Edhe zgjedhjet e vitit të ardhshëm janë shumë të rëndësishme për BE-në, e cila kërkon që ato të zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të jenë të besueshme për të gjithë. Për këtë duhet të zbatohen reformat zgjedhore për t’u siguruar klima e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të prillit, në pajtim me rekomandimet e OSBE/ODIHR”, potencojnë nga Këshilli i Bashkimit Evropian.
GAZMEND REXHEPI
