Maqedoni

Kuvend, ndotja e ajrit përplas pushtetin dhe opozitën

15.12.2015 17:12

Gjendja me ajrin e ndotur ka shkaktuar përplasje edhe në vazhdimin e sotëm të seancës kuvendore, në të cilën po debatohet për ajrin e ndotur...

Në seancë pushteti dhe opozita shkëmbyen akuza të ndërsjella. Opozita fajëson pushtetin për ajrin shumë të ndotur, ata thonë se pushteti gjatë këtyre viteve më me rëndësi ka pasur projekte joprofitabile, si “Shkupi 2014”, se sa shëndetin e qytetarëve.
 
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e partisë në pushtet thonë se kanë ndërmarrë masa për mbrojtjen e ajrit, sipas tyre, për dallim nga LSDM kur ishte në pushtet. 
 
“Pasi që ju 2 ditë lavdëroheni me masat e marra, të shohim gjendjen. Ky është Shkupi i fotografuar nga aeroplani, i cili nuk po shihet. Në Tetovë shënohet rekord botëror sa i përket ndotjes së ajrit. Niveli maksimal i lejuar i grimcave PM10 është 50 mikrogram, ndërsa në Tetovë mbrëmë niveli i këtyre grimcave ka arritur në 996 mikrograme, që paraqet se ajri është 20 herë më i ndotur se sa niveli maksimal i lejuar”- deklaroi Stefan Bogoevski nga LSDM.
 
“Unë do t’u tregoj vetëm disa masa të cilat janë marrë në Shkup për ndotjen e ajrit. Ato janë: trajtimi i rrugëve me substanca të cilat e ulin ndotjen, blerja e mbi 300 autobusëve të ri të pajisura me standarde euro 5, ndërtimi i bulevardeve, me çka zmadhohet rrjedha e komunikacionit, aksioni për ditën e drurit, ku janë mbjellë mbi 50 milion fidanë. Kisha dashur të më tregoni se çfarë masa keni ndërmarrë ju gjatë kohës kur keni qenë në qeveri”- tha Ivan Ivanov nga VMRO.
 
Ndërkohë, ajri edhe sot vazhdon të jetë i ndotur në shumë qytete të vendit. Tetova edhe sot mban primatin e qytetit më të ndotur në vend, ku koncentrimet e grimcave PM10 nuk kanë rënë nën 900 mikrogram.
 
Gjithashtu edhe në Shkup niveli i ndotjes së ajrit është në shifra alarmante, ku në Qendër është 676 mikrogram, Karposh 498 dhe Gazi Babë 446. Ajri i ndotur është i theksuar edhe në Manastir dhe Kavadar.
 
ERSAN PAJAZITI