Kompletohet KSHZ, liderët dakordohen për tre ekspertët

15.12.2015 20:15

Liderët e katër partive politike arrijnë marrëveshje për tre ekspertët e KSHZ-së...

Ata janë Rexhep Prekopuca magjistër i shkencave politike dhe të menaxhmentit, Atanas Urumov politikolog dhe jurist dhe Aleksandar Çiçakovski magjistër i drejtësisë.

Tanimë KSHZ kompletohet me nëntë anëtarë bashkë me gjashtë anëtarët tjetë të propozuar nga partitë politike: Sillvana Boneva dhe Sasho Sercev nga VMRO-DPMNE, Violeta Duma dhe Igor Milev të emëruar nga LSDM, BDI ka propozuar Subhi Jakupin ndërkaq PDSH Bedredin Ibrahimin.

Liderët nuk janë marrë vesh për kryetarin dhe nënkryetarin e KSHZ-së nga rradhët e ekspertëve. Për këtë kanë lënë që të vendosë kuvendi.

Liderët në një deklaratë të përbashkët me shkrim për media ftojnë kuvendin që të finalizojë procedurat e domosdoshme me qëllim që KSHZ-ja të fillojë me punë dhe ti përgatisë zgjedhjet e 24 prillit. Ndërkaq KSHZ ftohet që të kompletohet me kudaro dhe të përcaktojë rregullat e punës. Kërkesa të njëjta vijnë edhe nga ndërmjetësi Vanhaute.

“Jam i lumtur që u arrit marrëveshje për emërimin e ekspertëve të KSHZ-së dhe shpresoj që kjo të jetë fillimi për të çuar përpara procesin pasiqë ka shumë punë sa I përket zgjedhjeve. Ditëve në vazhdim pres që KSHZ të emërojë sekretarin e përgjithshëm si dhe të punësuarit e tjerë që të funksionojë si duhet“ – tha ndërmjetësi në bisedime, Piter Vanhaute.

Takimi i liderëve që zgjati afër tre orë u mbikqyr nga ambasadori i BE-së Aivo Orav si dhe SHBA-ve Xhes Bejli. Temë e takimit nuk kanë qenë reformat në media si dhe dorëheqja e kryeministrit.

Ndërmjetësi Vanhaute thotë se mediat do të trajtohen nga dita e nesërme. Edhe kryeministri sipas Vanhautes do të jep dorëheqje sipas Marrëveshjes së Përzhniës.

“Dorëheqja do të shkojë sipas planit gjegjësisht sipas marrëveshjes në të cilën u dakorduan katër partitë politike. Ne jemi të bindur që secili do të respektojë dhe do të zbatojë siç duhet marrëveshjen“ – deklaroi ndërmjetësi në bisedime, Piter Vanhaute.

Kryeministri Gruevski do të duhet të dorëhiqet në pjesën e dytë të këtij muaji, që deri më 15 janar të emërohet kryeministër I ri I propozuar nga VMRO – DPMNE. (Meral Ismaili, TVM2)