Botë
Sidnei- Australi, vendi goditet nga stuhia, nuk ka viktima
16.12.2015 11:59
Sidnej në Australi u godit nga një tornado e fuqishme...

Stuhia e erës në New South Wales, arri shpejtësinë prej 213 km në orë, duke u kthyer kështu në stuhinë me erërat më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë në Australi.
Zona më e goditur prej tyre rezulton Kurnelli, në kepin jugor të gjirit Botany. Vala e shkatërrimeve është e dukshme.
Stuhia la pas godina të dëmtuara, pemë të rrëzuara në tokë, linjat e energjisë elektrike të shkëputura, ndërsa dy persona përfunduan në spital, njëri me plagë në kokë, tjetri në gjendje shoku.
Fatmirësisht, të lënduar rëndë nuk ka. Dëmet kanë qenë më së shumti materiale, me të paktën 25 prona të shkatërruara, disa nga të cilat u shpallën të pabanueshme.
Drejtues të Shërbimit shtetëror të Emergjencave e përshkruan këtë si një goditje të fortë për komunitetin e Kurnellit, që për më tepër vjen vetëm një javë përpara Krishtlindjes.
Punonjësit e këtij shërbimi u janë përgjigjur më shumë se 500 kërkesave për ndihmë, ndërsa ka pasur 11 shpëtime nga përmbytjet, përfshirë këtu persona të bllokuar në makinat e tyre që vërshimi i ujërave i zuri në befasi.
Si të mos mjaftonin erërat e furishme, disa zona si Sutherland Shire u përballën dhe me një breshër të pazakontë, i cili mbërrinte gati madhësinë e një molle.
BELINDA KOKA-ADEMI
