Maqedoni

MShIA gati për Regjistrin e popullatës, Orav: të respektohet këmbimi i të dhënave

16.12.2015 15:04

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës ka dalë me mbi pesëdhjetë rekomandime për përgatitje të Regjistrit të popullatës...

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës ka dalë me mbi pesëdhjetë rekomandime për përgatitje të Regjistrit të popullatës, i cili në të ardhmen do të mund ta zëvendësojë regjistrimin e popullsisë.
 
Zbatimi kryesor i regjistrit të popullatës është gjenerimi i definicionit të saktë të të gjithë individëve që jetojnë në territorin gjeografik të Republikës së Maqedonisë, si dhe të qytetarëve të saj që jetojnë jashtë territorit të saj.
 
“Regjistri i popullatës do të sigurojë të dhëna të agreguara për tërë popullatën, me çka do të mundësohet zbatimi dhe ndjekja e politikave të shumta publike për menaxhim dhe planifikim”- deklaroi Marta Arsovska-Tomovska nga MShIA.
 
“Entuziazmi dhe angazhimet e Ministrisë për këmbim elektronik të të dhënave duhet në të vërtetë të zbatohet tek të gjitha organet shtetërore. Roli i Ministrisë është që ta lehtësojë këtë proces, por rezultatet mund të jenë të dobishme nëse të gjitha organet shtetërore në mënyrë aktive e shfrytëzojnë kornizën për interoperabilitet. Ajo është vegël digjitale e cila e mbështet demokracinë dhe llogaridhënien para qytetarëve”- tha euroambasadori, Aivo Orav.
 
Ky projekt që siguron mbështetje për shërbimin shtetëror dhe reformat në administratën publike u realizua gjatë 12 muajve të kaluar me 2,6 milionë euro të siguruara përmes Instrumentit për ndihmë parainkuadruese.
 
Projekti u zbatua në bashkëpunim me Agjencinë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Austrisë, ndërsa u financua nga Bashkimi Evropian.
 
GYLTENE SINANI