Maqedoni

Komuna e Tetovës mbyll shkollat e çerdhet, shoqëria civile dhe qytetarët në protesta

16.12.2015 15:32

Nxënësit e shkollave të mesme protestuan në Tetovë kundër ndotjes së ajrit...

Ata bojkotuan procesin mësimor. Komuna e Tetovës, ndërkohë, solli vendimin për ndërprerjen e procesit edukativo-arsimor në të gjitha shkollat dhe çerdhet e qytetit, deri në fund të vitit. Prej vitit të ardhshëm komuna premton vendosjen e transportit publik, si pjesë e masave për uljen e ndotjes. 
 
“Duke u nisur nga fakti se ditëve të fundit indikatorët e ndotjes së ajrit ambiental në Komunën e Tetovës kanë arritur shifra alarmante, Komuna e Tetovës në koordinim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës solli vendim për ndërprerjen e menjëhershme të procesit edukativo-arsimor në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, si  dhe në çerdhet që janë nën juridiksionin e Komunës së Tetovës.  Të vetëdijshëm për seriozitetin e situatës si dhe implikimet negative të ndotjes së ajrit ndaj shëndetit të nxënësve, kjo masë hyn në fuqi nga dita e sotme dhe do të zgjasë deri në mbarimin e gjysmëvitit shkollor”- deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
 
Qytetarët ankohen se në Tetovë nuk merret frymë dhe duhen marrë masa urgjente. 
 
“Ka dy vjet që jetoj këtu, sepse jam në studime, ka qenë ajri shumë i rëndë, për shkak të fabrikave nëse s’gaboj. Nuk e di pse nuk po e ndalin, se limiti siç e di unë është 90, por dje ka qenë 990”- u shpreh një qytetar.
 
Ekspertët, ndërkohë, thonë se ajrin në Tetovë nuk e ndot vetëm “Jugohromi”. Nga 40.000 automjete që qarkullojnë në Tetovë, 75% nuk kanë katalizatorë, por edhe amvisëritë dhe djegia e deponive bëjnë pjesën e tyre të ndotjes.
 
“Ndër burimet antropogjene ndotësit kryesorë janë këto veprimtari: industria, komunikacioni dhe llojet që vijnë nga amvisëritë e ndryshme, duke pasur parasysh që në Komunë ë Tetovës, gjegjësisht në rajonin e Pollogut kemi kombinatin industrial ‘Jugohrom’, i cili është një ndër ndotësit kryesorë për shkak se harxhon një sasi shumë të madhe të lëndës djegëse, atëherë automatikisht mund të konstatojmë se kombinati ‘Jugokrohm’ është njëri ndër ndotësit kryesorë në rajonin e Pollogut. Me përqindje e kemi në 61% me 39 %, pra gjithë sasia e lëndëve djegëse që përdorin në qytetin e Tetovës, duke marrë parasysh amvisërinë edhe komunikacionin, në anën tjetër vetëm kombinati ‘Jugokrohmit’ merr pjesë në 61 %”- tha profesori i ekologjisë në UShT, Hasan Idrizi.
 
Nga “Eco Guerrilla” thonë se “Jugohrom” çdo ditë lëshon rreth 30 ton pluhur në ajër, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e banorëve të Tetovës dhe rrethinës. 
 
“Në vitin 2009 nuk ka punuar ‘Jugohromi’ dhe emetimi i gazrave ka qenë më i ulët për 55%, pra ky është një dokument i publikuar nga Ministria e Mjedisit dhe jo nga ne si organizatë, kjo nuk është deklaratë e imja si aktivist apo qytetar, por është dokument i Ministrisë”- theksoi Arianit Xhaferi nga Lëvizja Ekologjike “Eco Guerilla”. 
 
Sektori civil ka paralajmëruar bllokim të rrugëve dhe protesta për të ndërgjegjësuar, siç thonë autoritetet, që të mbyllet “Jugohromi” derisa të vendosë filtra dhe të ulin nivelin e ndotjes së ajrit në Tetovë.
 
Në pritje të masave nga autoritetet aktivistë të shoqërisë civile kanë vënë në disa vende në Tetovë “aparate” të ajrit të pastër.
 
VISAR SADIKI