Infrastruktura hekurudhore, linja Kërçovë–Lin, projekti fillon në 2016
Ndërtimi i linjave të reja hekurudhore, si korridori 8, që kalon nga Kërçova në Lin, dhe linja nga Kumanova në Bullgari janë prioritet i Drejtorisë së Hekurudhave...

Sipas drejtorit të hekurudhave, Irfan Asanit, këto linja do të lehtësojnë transportin e mallrave dhe shërbimeve ndërmjet shteteve dhe kanë interes të lartë ekonomik për vendet nëpër të cilat kalojnë.
“Në pjesën e korridorit 8, jo vetëm që ne mendojmë, por ashtu parasheh edhe studimi, parashihen dhjetë çifte të trenave, të cilët do të qarkullojnë në pjesën Shkup-Sofje dhe Durrës, që në njëfarë forme do të rrit kapacitetet tona, ndoshta nga ajo që bëjmë tani për diku rreth 200 për qind”- deklaroi drejtori i hekurudhave, Irfan Asani.
Deputeti, Ramiz Merko, tha se projekti i pjesës që lidhë Maqedoninë me Shqipërinë është shumë i frytshëm edhe për shkak se ndërtimi i hekurudhës do të hapë vende të reja pune.
Zëvendësministri i Transportit, Nimetulla Halimi, premton që infrastruktura hekurudhore do të bëhet sipas standardeve evropiane.
“Deri në vitin 2016 do të kemi projekt përfundimtar, për këtë pjesë të korridorit 8 janë ndarë 100 milion së pari për punët përgatitore, por edhe për fillimin e një pjese të hekurudhës së korridorit 8. Jemi shpirtërisht të interesuar që kjo pjesë e hekurudhës të korridorit 8 të bëhet sa më shpejt, sepse do të punojnë në ndërtimin e kësaj pjese shumë kompani ndërtimi, shumë njerëz”- tha deputeti i BDI-së, Ramiz Merko.
“Shkëmbyem mendime dhe përvoja profesionale, dhe në të ardhmen shpresojmë që edhe infrastruktura hekurudhore do të modernizohet dhe do të bëhet pjesë e infrastrukturës hekurudhore moderne të Evropës”- theksoi zëvendësministri, Nimetulla Halimi.
Asani, delegacionin e lartë të BDI-së e informoi edhe për investimet në terminalin multimodular, i cili tashmë është lëshuar në përdorim. (Ersan Pajaziti, TVM2)
