Maqedoni

Komisioni Anketues për skandalin me përgjimet, formohen grupet që do të vizitojnë institucionet

16.12.2015 16:43

Komisioni Anketues për skandalin me përgjimet njëzëri vendosi të formojë dy grupe punuese të cilët do të vizitojnë institucionet...

Komisioni Anketues për skandalin me përgjimet njëzëri vendosi të formojë dy grupe punuese të cilët do të vizitojnë institucionet që janë të lidhura me skandalin me përgjimet e paligjshme dhe në bazë të informatave të grumbulluara të hartojnë raport për gjendjen e konstatuar.
 
Me thirrje të Komisionit Anketues, të gjitha institucionet, më së voni deri ditën e hënë, duhet të njoftojnë Komisionin për datën që u përshtatet mes 22 dhe 24 dhjetorit. Deputetët e VMRO-së kërkuan që t’i ngarkojnë institucionet që paraprakisht t’u dërgojnë raporte dhe informacione që kanë të bëjnë me përgjimet, të nevojshme për t’u parapërgatit për vizitat në institucionet përkatëse. 
 
“Mendimi im është p.sh. se ky Komision duhet t’i pranojë të gjitha raportet për punën e DSK-së në periudhën kur është bërë ndjekja ilegale e komunikimeve në RM. Të shohim se çfarë ka në ato raporte. Sa njerëz janë ndjekur përmes sistemit? Të kërkojmë specifikat e sistemit dhe mundësitë e tij”- tha anëtari, Pavle Sazdov.
 
Të gjitha raportet dhe informacionet që institucionet do t’ia dorëzojnë Komisionit, do t’u dorëzohen të gjithë anëtarëve të këtij trupi anketues brenda 48 orëve, konformë rregullores për punë. 
 
“I gjithë dokumentacioni që vjen nuk shkon te grupet punuese por te Komisioni Anketues dhe në harmoni me rregulloren për punë të Komisionit Anketues unë jam i detyruar në afat prej dy ditë, nga momenti që do t’i pranoj, dokumentacionin ta dërgoj deri te të gjithë anëtarët e Komisionit Anketues.”- theksoi kryetari i Komisionit, Petre Shilegov.
 
Grupi i parë punues do të vizitojë institucionet të cilat disponojnë me pajisje teknike me të cilën mund të realizohet përgjimi si dhe operatorët celularë. Këtë grup e përbëjnë deputetët: Ejup Rustemi, Ernad Fejzullahu, Silvana Boneva, Kërsto Mukovski, Pavle Sazdov, Liljana Zaturoska, Tomisllav Tuntev dhe Vasko Kovacevski.
 
Grupi i dytë do të vizitojë institucionet të cilat kanë informacione ose kanë formuar lëndë për skandalin me përgjimet, përkatësisht do të realizojnë vizita në prokurori dhe gjykata. Këtë grup punues e përbëjnë deputetët: Talat Xhaferi, Vlladanka Avorviq, Magdalena Manaskova, Roza Topuzovska Karevska, Petre Shilegov, Goran Misovski, Antonio Milloshovski dhe Dimitar Stevanxhija.   
 
Pas vizitave, Komisioni do të duhet të verifikojë edhe listën e mundshme të dëshmitarëve nga institucionet të cilat do të mund të dëshmojnë për skandalin me përgjimet.
 
Ndërkaq, nesër, para Komisionit Anketues do të dëshmojë ministri i Financave, Zoran Stavreski. Nuk është konfirmuar nëse seanca për dëgjimin e tij do jetë e hapur ose do të mbahet seancë e mbyllur për opinion, siç ishte rasti me kryeministrin, Nikolla Gruevski.
 
SHPËTIM NUREDINI