Kriza e refugjatëve, Spasovski: Qasje serioze për përballje me krizën
Qëndrimi i gjatë i emigrantëve nëpër kufij dhe mosplotësimi i pritjeve të tyre për status më të mirë ekonomik mund të çojë drejt radikalizmit të tyre, apelon ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski...

Sipas tij dhe zëdhënëses së MPJ-së, zbulimi i hershëm i terrorizmit, që mund të dalë nga fluksi i madh i emigrantëve, mund të parandalohet vetëm me qasje serioze, me detektim dhe kontrolle të përforcuara.
"Ekziston mundësia që RM të bëhet tampon zonë e krizës së refugjatëve dhe të ballafaqohet me sfida më serioze nga menaxhimi i deritanishëm me rrjedhat e emigrantëve. Rreziku i cili del nga fenomeni i terrorizmit, para së gjithash për shkak të lidhshmërisë me ekstremizmin dhe radikalizmin, kërkon kalim suptil me qëllim të detektimit në kohë të formave të tij dhe tendencave zhvillimore”- deklaroi ministri i MPB-së, Oliver Spasovski.
“Është tejet e rëndësishme që të përforcohet bashkëpunimi i autoriteteve të Maqedonisë dhe Greqisë, të sigurohet transport adekuat dhe të përforcohen kontrollet e emigrantëve në këto dy kufij”- tha Dragana Kiprijanovska nga MPJ.
Sipas të dhënave, këtë vit nëpër Maqedoni kanë kaluar mbi 600 mijë emigrantë, ndërsa pritjet janë që ky numër të rritet edhe më shumë në të ardhmen.
Ministri i Mbrojtjes së Bosnjë e Hercegovinës, Dragan Mektiq, theksoi nevojën imediate për kyçjen e vendeve të Ballkanit në zgjidhjen e problemit me krizën e refugjatëve.
"Kriza e refugjatëve është e lidhur drejtpërsëdrejti me sigurinë e vendeve dhe kjo çështje vetvetiu sjellë sfida të mëdha në drejtim të ruajtjes së sigurisë së vendeve në kuptimin e saj, që kërkon kyçje të të gjithë autoriteteve të vendeve të Ballkanit”- theksoi ministri i Mbrojtjes së Bosnjë e Hercegovinës, Dragan Mektiq.
Në konferencën e organizuar në suaza të kryesimit të Maqedonisë me Nismën Qendrore Evropiane, u nënshkrua edhe memorandum-bashkëpunimi ndërmjet Nismës Qendrore Evropiane dhe Qendrës “Marri”, e cila do të mundësojë bashkëpunim të mëtejshëm për krizën e refugjatëve. (Rexhep Qamili, TVM2)
