Analistët për konkluzat e Këshillit të BE-së: Të merren seriozisht, s’ka vend për improvizime
Lidershipi i vendit do të duhet me shumë seriozitet të merr përfundimin e fundit të Këshillit Evropian se Maqedonia mund të rrezikojë rekomandimin në rast se nuk zbaton Marrëveshjen e Përzhinës dhe reformat urgjente...

Analisti, Albert Musliu, thotë se aktorët politik do t’i përmbahen zbatimit të marrëveshjes politike, pasi janë të vetëdijshëm se hapësirë për improvizime nuk ka.
“Edhe liderët dje e kuptuan se është më se serioze puna dhe nuk ka vend për improvizime. Prandaj mendoj se edhe dje u përfundua debati i përzgjedhjes së anëtarëve të KShZ-së. Tani fillojnë negociatat për mediat dhe gjithsesi pritet edhe dorëheqja e kryeministrit. Mendoj se edhe liderët e kuptuan se nuk ka hapësirë për improvizime të mëtutjeshme”- tha analisti, Albert Musliu.
Këshilli i BE-së, midis tjerash, kërkon edhe hetim të detajuar të rastit të Kumanovës dhe zbatim të rekomandimeve të Marrëveshjes së Ohrit. Analisti Musliu thotë se rekomandimet e Marrëveshjes kornizë do të duhet të zbatohen paralelisht me marrëveshjen politike, pasi që janë pjesë e saj. Me konkluzën për rastin e Kumanovës, Musliu thotë se Këshilli inkurajon prokuroren speciale të përmbyll rastin në mënyrën më objektive.
“Mendoj se ajo mund të jetë edhe një inkurajim për prokuroren speciale, edhe inkurajim edhe dhënie e suportit që ajo atë rast ta hulumtojë vetë, me qëllim që ai rast të jetë më objektiv dhe më i pranuar për të gjithë pjesëmarrësit”- theksoi analisti, Albert Musliu.
Hetim i pavarur i aferës së përgjimeve, që gjithashtu kërkohet nga Këshilli Europian, sipas Musliut do të jetë një proces më i gjatë dhe do t’i tejkalojë edhe zgjedhjet e parakohshme.
Në takimin e djeshëm të ministrave të Jashtëm të BE-së u potencua shqetësimi edhe për mosarritjen e marrëveshjes për mediat, reformat në gjyqësi dhe mungesën e besimit të qytetarëve tek institucionet shtetërore. BE kërkon që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të jenë të besueshme për të gjithë. (Meral Ismaili, TVM2)
