Kuka e Darshishta në “Argument”, vendi shumë larg funksionimit të shtetit juridik

16.12.2015 18:25

Ish prokurori republikan, Bardhyl Kuka, dhe avokati, Bujar Dardhishta, në emisionin e mbrëmshëm “Argument”, patën një konstatim të prerë, se vendi është shumë larg funksionimit të shtetit juridik dhe drejtësisë...

Sipas ish prokurorit Kuka, vendimi i Gjykatës së Apelit për 6 të akuzuarit në rastin “Monstra” edhe një herë e humbi besimin në drejtësinë e vendit. Ish prokurori Kuka është pesimist që edhe vendimi i shkallës së tretë mund të jetë konfirmim i sërishëm i vendimit të Apelit. Prandaj lënda duhet t’i kalojë prokurores speciale, shprehet Kuka.

“Qytetarët, pas këtij vendimi nuk kanë asnjë arsye që t’i besojnë gjyqeve dhe prokurorive në ndjekjet farse. Ky është një farse për të mbuluar apetitet apo kërkesat e të tjerëve dhe është krijuar ‘Monstra’. Ngelet edhe faza para Gjykatës Supreme. Nuk kam besim edhe në Gjykatën Supreme se do të veprojë drejt dhe paanshëm. Lënda duhet t’i kalojë prokurores speciale”- tha ish prokurori në Prokurorinë Republikane, Bardhyl Kuka.

Avokati, Bujar Dardhishta, konsideron se drejtësia në të shumtën e rasteve nuk po respekton interpretimin e drejtë  të ligjit apo  i njëjti respektohet  në mënyrë të selektuar.  Andaj, rastet si “Monstra”, “Sopoti”,  “Kumanova” duhet të kalojnë në duart e prokurores speciale. Sipas tij, gjyqësia në vend, e në veçanti Prokuroria, e kanë humbur kredibilitetin.

“Rasti ‘Monstra’ është një prej testeve të gjyqësisë në vend për të parë se a kemi vendime ligjore dhe të drejta. Siguria juridike në vend është në pikëpyetje të madhe. Në aspekt formal mund të mos ketë vërejtje, por gjatë zbatimit dhe interpretimit në praktikë të atyre ligjeve paraqiten dyshime të mëdha”- tha avokati, Bujar Dardhishta.

Avokati, Bujar Dardhishta, i cili është drejtpërdrejtë i kyçur si palë mbrojtëse e rastit të Kumanovës, u shpreh se edhe në këtë  rast , që në fillim, në mënyrë flagrante janë cenuar të gjitha të drejtat e njeriut të garantuara me ligj, kushtetutë dhe me konventat ndërkombëtare.

“Ngjarjet e Kumanovës duhet të trajtohen me një kujdes tepër të veçantë.  Duhet të ketë hetim ndërkombëtar për arsye se këtu kemi të bëjmë me shtetas të Maqedonisë, Kosovës, Shqipërisë dhe Gjermanisë. Duhet hetim ndërkombëtar i gjithanshëm. Kualifikimi juridik për këtë vepër për terrorizëm për 39 të akuzuar duhet kujdes i veçantë”- theksoi Dardhishta. 

Në debatin e mbrëmshëm bashkëbiseduesit thanë gjithashtu që ingerencat e prokurorit special për hetim dhe ngritje të procedurës, si pjesë  e sistemit juridik, duhet të zbardhin deri në fund aferën e përgjimeve, sepse çdo krizë politike mund të prodhojë edhe krizë juridike. (Rejhan Bushi-Metaj, TVM2)